Në Lipjan ka nisur përgatitja e terrenit për ndërtimin e lagjes së re banesore, e cila do t’u dedikohet familjeve të kategorive të dala nga lufta. Në fillimin e punimeve mori pjesë Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, së bashku me bashkëpunëtorët dhe përfaqësuesit e kompanisë ndërtuese.
Kryetari Ahmeti theksoi se ky projekt ka një rëndësi të veçantë, pasi synon të ofrojë strehim të denjë dhe kushte të përshtatshme për familjet e dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së.
“Po ndërtojmë një lagje të re, të bukur dhe me kushte moderne, e cila do të ofrojë strehim të denjë dhe mundësi të reja për familjet e dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së. Kjo lagje do t’i japë qytetit një pamje më të mirë, por mbi të gjitha do të sjellë qetësi dhe siguri për shumë familje. Ky është vetëm një hap tjetër në rrugën tonë të përkushtimit dhe punës konkrete”, tha Kryetari Imri Ahmeti.
Lagjja e re do të ndërtohet në një sipërfaqe prej rreth 45,000 m², me rreth 100 njësi banesore, të cilat do t’u jepen falas për shfrytëzim afatgjatë familjeve përfituese.
Ky projekt përbën një tjetër hap të rëndësishëm në angazhimin e Komunës së Lipjanit për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe për të përmbushur zotimet ndaj atyre që kanë dhënë shumë për lirinë e vendit.
COMMENTS