Pasi e shijoi humbjen e parë në Premierligë këtë sezon nga kampioni në fuqi Manchester City, lideri Liverpooli e ka gjetur përsëri rrugën e fitores duke e mposhtur 1-0 Brightonin të shtunën në “Amex Stadium”, me anësorin kosovar të Zvicrës, Xherdan Shaqirin, që luajti rol si titullar në këtë triumf.
Të kuqtë i fituan tri pikë tjera të rëndësishme në luftë për titull kampioni në ligën elitare angleze – dhe tani i ikin shtatë pikë ndjekësit të parë Manchester Cityt – falë golit të Mohamed Salahut nga penalltia, i cili ishte i 14-ti për egjiptianin deri tani këtë sezon, raporton Gazeta Express.
Liverpooli e nisi qetë takimin dhe iu desh pothuajse gjysmë ore lojë për ta rrezikuar seriozisht portën e Brightonit.
Në minutën e 27-të, Xherdan Shaqiri ishte shumë pranë ta kalojë skuadrën e Jurgen Kloppit në epërsi me një gol të pazakontë për të, por goditja e tij me kokë nga rreth pesë metra përfundoi pranë shtyllës së djathtë të portierit kundërshtar.
Por, pesë minuta brenda pjesës së dytë, Mohamed Salah u ndal në zonë pasi u tërhoq prej fanelle nga Martin Montoya. Gjyqtari dha penallti për Liverpoolin, të cilën egjiptiani e konkretizoi në gol.
Ky gol qe i mjaftueshëm për të kuqtë që të fitojnë dhe të shkojnë në kuotën e 57 pikëve.
Fitorja e Liverpoolit ka mundur të ishte shumë bindëse sikur Roberto Firmino dhe Mohamed Salah t’i shfrytëzonin mundësinë që patën deri në fund.
Më pak se 20 minuta para fundit, Klopp e zëvendësoi Shaqirin me James Milnerin.
Liverpooli tani mbledh plot 57 pikë pas 22 ndeshjeve, shtatë më shumë se Manchester City në vendin e dytë, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar, megjithatë.
Brightoni, ndërkohë, mbetet në vendin 13-të me 26 pikë.
COMMENTS