Me projektin e saj modern, 15 restorante të vlerësuara me çmimin “Michelin” dhe një kulturë shumë ekologjike, nuk është aspak surprizë fakti që kryeqyteti i Danimarkës kryeson listën e 10 qyteteve për t’u vizituar në vitin 2019, të hartuar nga “Lonely Planet”.
Kopenhageni, sipas “Lonely Planet” ka shumë për të ofruar.
Lista ofron një përzierje të qyteteve të njohura dhe më pak të njohura; qytete popullore që kanë aktualisht vëmendje për atraksionet e tyre; qytete që janë hasur në rrugëtim, por e meritojnë një rikthim; si dhe qytete që janë përballur me katastrofa natyrore dhe meritojnë një vëmendje të shtuar.
Për të 14-in vit radhazi, “Lonely Planet” përpilon listën e saj, me qytetin Shenzhen në Kinë, në vendin e dytë; Novi Sadin në Serbi, në vend të tretë; Miamin në Florida në të katërtin; si dhe Kathmandun në Nepal, në të pestin.
Më pas renditja vijon me qytetin e Mexicos, Dakarin në Senegal, Seattle në Uashington, Zadarin në Kroaci, e Meknesin në Marok.
Dy qytetet ballkanike, Novi Sadi në Serbi dhe Zadari në Kroaci, janë përfshirë në listë – sipas “Lonely Planet”, – për shkak të larmishmërisë së ngjarjeve që ofrojnë.
“Nuk është i njohur si Beogradi, por është më trendi sesa ai. Quhet madje nga shumëkush edhe ‘Athina e Serbisë’”, shkruan “Lonely Planet” për Novi Sadin, ku çdo vit mbahen një seri festivalesh ndërkombëtare dhe që vitin e ardhshëm do të jetë “kryeqyteti europian i rinisë”.
“Ndërsa Zadari, – shkruan “Lonely Planet”, – është ngritur nga hiri i luftës dhe ka lulëzuar, duke u bërë një qytet kozmopolitan, plot ngjyra dhe shpirt”.
COMMENTS