Lëvizja Vetëvendosje mbajti konferencë për media në lidhje me panairin “Prishtina 2018”, i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në të cilën i është bërë një favorizimi i jashtëzakonshëm produkteve të Serbisë përkundër relacioneve armiqësore që Serbia ka ndaj Kosovës.
Drejtuesi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca foli për hapësirën e madhe që i është dhënë produkteve të Serbisë si dhe vërshimin e këtyre produkteve në tregun e Republikës së Kosovës pavarësisht që Serbia e lufton në çdo drejtim Republikën e Kosovës, si në arenën ndërkombëtare poashtu edhe përmes strukturave paralele përbrenda Kosovës.
“Nga 174 biznese të cilat marrin pjesë në këtë panair 70 prej tyre janë nga Serbia dhe vetëm një është nga Republika e Shqipërisë. Kjo tregon që institucionet e Kosovës dhe Oda Ekonomike e kanë shndërruar Kosovën në një koloni tregtare të Serbisë”, tha Glauk Konjufca.
Ai gjithashtu potencoi edhe nivelin e lartë të importit tregtar me Serbinë, e cila kalon shifrën prej gjysëm milliard euro, ku nga 19 vite pasluftës produktet e Serbisë në mënyrë shtetërore janë bojkotuar vetëm 45 ditë.
Ndërkaq nënkryetarja e Lëvizjes dhe deputetja Fatmire Mulhaxha Kollçaku foli për dëmet që Serbia i ka shkaktuar Republikës së Kosovës dhe duke mos dhënë asnjëherë përgjegjësi për krimet e kryera.
“Jemi afër ditës së të pagjeturve dhe ne ende nuk e dijmë fatin e 1652 personave të pagjetur dhe nuk dijmë as rrethanat në të cilat ata janë vrarë dhe masakruar nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe. Poashtu janë edhe 20 mijë gra të dhunuara për të cilat asnjëherë, askush, nuk ka dhënë përgjegjësi dhe nuk e ka denoncuar publikisht askush nga Serbia”, tha Fatmire Mulhaxha Kollçaku.
Ajo gjithashtu foli edhe për kontributet pensionale, kontribute këto që punëtorët shqiptarë nuk kanë përfituar asnjëherë nga ato.
Kur shtetet normale nuk kanë realcione të mira politike ato nuk mund të kenë asnjherë as tregëti të lirë e as raporte normale tregtare. Lëvizja kundërshton qasjen që insitucionet e Kosovës dhe Oda Ekonomike po ndjekin ndaj Serbisë duke kërkuar kështu reciprocitet tregtar e ekonomik ndaj mallërve e produkteve serbe.
COMMENTS