Meqënse Parlamenti i Malit të Zi ka ratifikuar Marrëveshjen për Demarkacionin me Kosovën bazuar në marrëveshjen e arritur në vitin 2015, ajo mund të ndryshohet në tri mënyra.
Por sa janë ato të mundshme?
Të mërkurën është paraparë që Kuvendi i Kosovës të mblidhet në një seancë arsyeja kryesore e së cilës do të jetë ratifikimi i Ligjit për Demarkacionin me Malin e Zi, pasi partitë e koalicionit qeverisës PDK, AAK, NISMA dhe AKR-ja u pajtuan së bashku me partinë opozitare LDK-në për formën finale të projektligjit.
Koalicioni qeverisës pranoi kushtin e LDK-së që pjesë e projektligjit të mos jetë raporti i Komisionit për Shenimin e Kufirit, që me ardhjen e Ramush Haradinajt në krye të Qeverisë me Shpejtim Bulliqin në krye të këtij komisioni, hartuan një raport, sipas të cilit, marrëveshja mes Kosovës dhe Malit të Zi, i humbë territor vendit. Kësisoj raporti mbeti vetëm si “orientues” për deputetët.
Por së bashku me raportin si orientues, u fut edhe deklarata mes presidentit Hashim Thaçi dhe atij malazez Filip Vujanoviq, sipas të cilës dy shtetet dakordohen që të rishikojnë marrëveshjen në bazë të të gjeturave të mundshme.
E përderisa kjo marrëveshje-deklaratë e dy presidentëve do të jetë pjesë e Ligjit që pritet të ratifikohet të mërkurën në Kuvendin e Kosovës, Parlamenti i Malit të Zi nuk do të merret me këtë marrëveshje.
Parlamenti i Malit të Zi, sipas njoftimit të Insajderit, ka bërë të ditur se cila do të jetë qasja e tyre në raport me marrëveshjen e nënshkruar nga presidenti i tyre me presidentin e Kosovës.
Zyra për Media e Parlamentit të Malit të Zi, ka bërë të ditur se kjo marrëveshje nuk do të shkojë fare në Kuvend.
“Kuvendi i Malit të Zi, në pajtim me kompetencat e tij të përcaktuara në bazë të Kushtetutës dhe Rregullores së Punës së Kuvendit të Malit të Zi, ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare dhe në këtë mënyrë ka miratuar Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror mes Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës, me 25 dhjetor 2015”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit të Kosovës.
Kësisoj për Kuvendin e Malit të Zi, çështja e demarkacionit me Kosovën, del të jetë punë e kryer, pasi që ata kanë ratifikuar marrëveshjen katër muaj pasi ajo ishte nënshkruar me 26 gusht 2015 në Vjenë. Atë e kishin nënshkruar, Hashim Thaçi në cilësinë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Isa Mustafa në cilësinë e kryeministrit dhe Skënder Hyseni në cilësinë e ministrit të Punëve të Brendshme.
Kuvendi i Kosovës në anën tjetër nuk kishte mundur ta ratifikojë këtë marrëveshje pasi partitë opozitare të asaj kohe, AAK, NISMA dhe Lëvizja Vetëvendosje penguan sjelljen e saj në Kuvend, përmes gjuajtjes së gazit lotsjellës në Kuvend.
Mos ratifikimi i kësaj marrëveshje, ishte bërë edhe shkas që vendi të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi mocioni i mosbesimit i partisë NISMA gjeti mbështetjen edhe të deputetëve të PDK-së, që ishin në koalicion me LDK-në.
Tash kur Haradinaj është kryeministër, ai po bënë thirrje që të votohet marrëveshje e njëjtë, por me “raportin e Bulliqit si orientim” dhe marrëveshjen mes dy presidentëve.
Por sa vlen kjo marrëveshje në Mal të Zi dhe cilat janë obligimet që mund t’i marrë Parlamenti i Malit të Zi nga kjo marrëveshje.
Zyra për Media në Kuvendin e Malit të Zi i tha Insajderit se kjo marrëveshje mes dy presidentëve nuk është një marrëveshje që e detyron ndryshimin e ligjit të ratifikuar nga ta, e që përcakton kufirin, që sipas vet kryeministrit Ramush Haradinaj dhe “raportit të Bulliqit” i humbë Kosovës 8 mijë hektarë tokë, që njihen si Çakori dhe Kulla e Zhlepit.
Megjithatë sipas Kuvendit të Malit të Zi, ligji i tyre mund të ndryshohet vetëm nëse Qeveria e Malit të Zi propozon ndryshimin e tij. E kufiri mund të ndryshoj vetëm nëse gjenden gabime në marrëveshjen e gushtit 2015, pas punës së të dy komisioneve.
“Në përputhje me Kushtetutën e Malit të Zi, Qeveria e Malit të Zi është kompetente për të menaxhuar me politikën e brendshme dhe të jashtme, dhe Presidenti i Malit të Zi e përfaqëson Malin e Zi në vend dhe jashtë vendit. Kushtetuta e Malit të Zi thotë se Qeveria, një deputet ose 6 mijë votues përmes një përfaqësuesi të autorizuar, kanë të drejtë për të propozuar ligje, që këtej edhe propozimet për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit të Malit të Zi, për Insajderin.
Por që kjo të ndodhë, Parlamenti i Kosovës duhet ta ratifikojë demarkacionin dhe më pas komisionet të nisin vendosjen e kufirit mes dy shteteve duke rishikuar gabimet e mundshme./Insajderi
COMMENTS