Mbi 350 mijë euro janë grumbulluar në vitin e kaluar nga pagesa e taksave të obliguara për dërgesat që qytetarët e Kosovës kanë porositur online në shtete të ndryshme të Evropës dhe botës, thonë zyrtarë të Doganës së Kosovës.
Me gjithë këtë vlerë, trendi i blerjeve online nga interneti nga qytetarët e Kosovës, thuhet të ketë shënuar rënie në krahasim me dy vitet e fundit. Nga rreth 250 mijë dërgesa me postë në vitin 2016, vitin e kaluar në Kosovë kanë arritur mbi 230 mijë dërgesa, bëjnë të ditur zyrtarë të Postës së Kosovës.
Produktet që më së shumti blihen online në shtete të ndryshme të botës, janë veshmbathje dhe teknikë, tregon për Radion Evropa e Lirë, Rifat Alaj, menaxher i Qendrës Transite Postare në Postën e Kosovës.
“Në periudhën janar – dhjetor 2016 vëllimi fizik ishte 249 mijë copë dërgesa online, pra ishte më i madh për 34 mijë ose 14 për qind se sa në vitin 2015.Kurse, gjatë vitit 2017 ishte 234 mijë copë,pra është më pak se 14 mijë ose shprehur në përqindje, 6 për qind më pak se në vitin 2016”, thotë Alaj duke shtuar se arsye e rënies së transportit me postë duket të jetë limiti i ulët i zhdoganimit të dërgesave.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se për secilën dërgesë të blerë përmes internetit e që arrin vlerën mbi 22 euro, pranuesi obligohet të paguajë rreth 30 për qind të çmimit të produktit.
Megjithatë, ai tregon se vitin e kaluar janë mbledhur më shumë se 350 mijë euro të hyra nga dërgesat e ndryshme që janë zhdoganuar në zyrat postare.
“Dogana merret vetëm me ato dërgesa që tejkalojnë limitin prej 22 eurosh. Këtu ka qenë një numër shumë i madh që kalon mbi 100 mijë copë. Pasi të kalohet kjo shumë janë dy taksa që paguhet; është taksa doganore prej 10 për qind dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar 18 për qind, të dyja bashkë janë rreth 30 për qind të vlerës së produktit”, shpjegon Stavileci.
Ndryshe, Rifat Alaj nga Posta e Kosovës thotë se 90 për qind e dërgesave online arrijnë përmes rrugëve ajrore, fillimisht ndalen në Shqipëri e pastaj arrijnë në Kosovë.
Kjo për faktin se shumica e produkteve të porositura vijnë nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Kina, Hong Kongu, Singapori këto shtete nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe për shkak të kësaj Kosova nuk figuron si shtet në tabelat e tyre dhe porositë vijnë përmes postës shqiptare. Kur qytetari porosit në këto shtete, për veç adresës së saktë në Kosovë duhet patjetër të shkruajë shteti Albania, pasi dërgesat kalojnë përmes shteti shqiptar”, sqaron Alaj.
Dyqanet virtuale nga shtete të ndryshme të botës tashmë njihen edhe nga shumë qytetarë të Kosovës. Ata thonë se blerja nëpërmjet internetit dhe arritja e dërgesës përmes shërbimit postar në adresë të shtëpisë, kursen kohën dhe paranë, pasi mund të blesh artikuj më lirë se sa në tregun vendor. Femrat janë ato që më së shumti e përdorin këtë shërbim. E pasionuar me blerjet on-line është Blerina Azemi nga Prishtina.
Ajo thotë se disa herë ka blerë online, por vendosja e taksës për çdo blerje mbi 22 euro, e ka detyruar në disa raste që të mos e blejë produktin që i pëlqen, por ndonjë që është nën vlerën e tatueshme. Mirëpo, ka raste kur edhe është dëshpëruar nga dërgesa e pranuar.
“Unë blej shumë online, sepse mund të siguroj produkte me çmime më të lira se sa në tregun e Kosovës, pastaj nuk humb fare kohë. Por, blerja online ka edhe mangësitë e veta – ka raste kur produkti në foto duket më i mirë se sa kur arrin”, thotë Blerina Azemi.
Edhe në Kosovë disa kompani private po aplikojnë shërbimin online të produkteve të ndryshme, mallra këto kryesisht të importuara nga vende të ndryshme të botës. Por, dërgesat nga këto kompani te personi që i ka porositur mund të arrijnë brenda ditës apo javës.
COMMENTS