Një emër i ri i futbollit që po vjen pa dyshim është edhe djaloshi nga fshati Llugaxhi e Komunës së Lypjanit, Diar Gashi. Nuk ka më shumë se 14 vjet, por ka dhunti për lojën më popullore në botë. Ai stërvitet me përkushtim në klubin e futbollit Besëlidhja nga Prishtina, me ambicie të mëdha që një ditë të luajë në klubet e mëdha evropiane.
Diari ka lëvizje të shpejta dhe shumë herë është i pakapshëm për mbrojtësit rival. Shumë herë portierët i fut në pozicionin mat, për faktin se goditjet e tija mjeshtërore vështirë edhe mbrohen. Jo vetëm me lëvizje por mënyra se si e administron topin dhe godet, shumëkënd e lë të habitur. Ai ka dashuri të zjarrtë për lojën e futbollit, është i përkushtuar shumë në përsosjen e teknikës dhe në rritjen e shpejtësisë së tij. Diari vjen prej një familje sportistësh dhe ju është mirënjohës prindit të tij, Milazimit, që e ka shtyrë dhe motivuar deri në pikën e fundit. Siç thonë edhe disa nga bashkëfshatarët e tij dhe bashkëlojtarë, Diari është i lindur për futboll dhe veprimet që i bënë ai, vështirë që mund t’i bëjë edhe ndonjë futbollist me përvojë të madhe.
ImageFOTO GALERI
“Ideja për futboll ka qenë e gatshme në familje! Babai im (Milazimi) ishte një lojtar shumë i mirë dhe vazhdon të jetë ende. Qysh i vogël kisha synim futbollin, ndërsa babai im me motivonte, të vazhdoja tutje. Edhe më shumë i falënderohem Zotit që me ka dhënë shëndetin dhe talentin. Talenti im është vërejtur nga trajneri i klubit të Rilindjes: Shemsedin Bajrami, pastaj nga Isa Sadriu dhe Astrit Rrahmani nga klubi Besëlidhja. Tani për tani, ushtrimet i vijoj në klubin Besëlidhja me shumë përkushtim, me ndihmën e trajnerëve: Edon Dragidella, Adem Neziri dhe Driton Bajrami”, tregon për gazetën kombëtare “Bota sot”, Diari. Si çdo njomakë ka idhullin e vet ashtu edhe Diari.
“Jetojmë në kohën e Messit, prandaj ky është edhe idhulli im. Me pëlqen loja që zhvillon Barcelona, kjo është loja që unë preferoj në një të ardhme”, theksoi supertalenti. Diari është i fokusuar në punë dhe të arrin suksese me Besëlidhjen për grup-moshat e reja. “Me ekipin Besëlidhja, së pari si synim kam përvojën, pastaj çdo sfidë është një përvojë edhe nëse e humb. Besoj që ne fund do të jem kampion ne grup-moshat për rajonin e Prishtinës”, tha Diari. Një karakteristikë e rrallë, e mbani topin në shpinë, e hiqni dhe e vishni fanellën, a është shumë e vështirë? “Me ushtrime, vullnet dhe dëshirë të madhe tejkalohet çdo gjë. Në fillim u dukej e vështirë të tjerëve, ndoshta, por mua jo. Inspirohem nga futbollist të mëdhenj çdo ditë dhe është fare e lehtë! Futbolli është argëtimi im”, thotë Diari.
COMMENTS