Mijëra qytetarë të Kosovës shkuan në psikiatri këtë vit

Mijëra qytetarë të Kosovës shkuan në psikiatri këtë vit

Përfundon pa gola ndeshja në mes Ferizajit dhe Ulpianës

Klinika e Psikiatrisë në QKUK po përballet me mungesën e disa barnave dhe me probleme në hospitalizimin e pacientëve.

Për mjekët e klinikës por edhe për pacientët ekzistojnë sfida në ofrimin dhe marrjen e trajtimeve të duhura për pacientët që vuajnë në fushat që mbulohen nga psikiatrit dhe psikologët.

Shaban Mecinaj, drejtor i Klinikës së Psikiatrisë në QKUK në një intervistë për Kallxo ka treguar se kjo qendër përbëhet nga 20 psikiatër, 5 psikologë klinik, dy pedagogë, 45 infermierë dhe stafin mbështetës teknik.

Kjo Klinikë është e ndarë në katër reparte, e cila e ka funksionale edhe pjesën ku trajtohen sëmundjet e varësisë nga droga dhe alkooli.

Për mediumin foli edhe A.V nga Komuna e Skenderajt i cili është një person i varur nga droga tash e një kohë. Ai ka shkuar në Klinikën e Psikiatrisë të Qendrës Klinike Universitare për kontroll javor.

Pacienti deklaroi se tash e 5-6 vjet ka filluar trajtimin në këtë Klinikë.

“Jam përdorues i drogës për një kohë të gjatë, por që 5-6 vjet marr terapi këtu në QKUK. Kam qenë edhe i shtrin këtu në spital veç nja 10 ditë por s’kam pas efekt. Pa nejt ma shumë s’ka efekt”, tha ai.

Pacienti thotë se është 45 vjeçar, i pamartuar dhe familja e tij përbëhet nga tre vëllezër pasi prindërit nuk i jetojnë më. “Familja jem ma dinë gjendjen dhe m’përkrahin”, thotë ai.

Ai tha se çdo javë ka kontrolla të rregullta në Klinikën e Psikiatrisë. “Me kanë të ktuhit, t’Prishtinës duhet me ardh dy herë në javë, por mu më duhet me udhëtu e ma kanë mundësu veç një herë me ardhë”, thotë A.V. Pacienti shtoi se për momentin është duke e përdorur vetëm një medikament i cili kushton 35 euro. “Këto më harxhohen shpejt, plus më duhet me pagu rrugën deri në Prishtinë”, thotë ai.

Në anën tjetër, drejtori i Klinikës shpjegoi se cilat shërbime saktësisht i ofron kjo klinikë.

“Çrregullimet psikotike, akute dhe kronike të cilat janë në formë të skizofrenisë, trajtohen në repartin A. Reparti B ofron trajtim për çrregullime të depresionit, çrregullime mbi polare, çrregullime të personalitetit e të tjera. Është edhe reparti i sëmundjeve të varësisë, ofron trajtim për sëmundje të varësisë, për alkool dhe droga të ndryshme. Dhe kemi njësinë e kujdesit intensiv psikiatrik, ku trajtohen pacientët që janë agresivë, të cilët zakonisht vijnë në përcjellje të policisë, e që kanë nevojë që për disa ditë të jenë të izoluar fizikisht dhe për të marrë terapi domosdoshmërisht”, thotë Mecinaj. Psikiatri shprehet i shqetësuar me përdorimin e substancave narkotike nga të miturit e moshës 14 deri në 16 vjeç, të cilët kërkojnë trajtim në klinikë.

Në këtë qendër mjekësore, sipas drejtorit, për një vit kanë rreth 1 mijë hospitalizime, ndërsa si aktivitete dhe si shërbime të ndryshme brenda vitit, klinika i ofron rreth 20 mijë shërbime të ndryshme.

Për gjashtë mujorin e këtij viti, ai thotë se kanë pasur 362 hospitalizime me gjithsej 6735 ditë mjekimi.

“Klinika i ka 68 shtretër të organizuar në katër reparte të ndryshme, ndërsa nga shërbimet ambulantore, në 6 mujorin e parë të këtij viti, si vizita ambulantore psikiatrike për të rritur janë realizuar 5587, kurse vizita ambulantore psikiatrike për fëmijë dhe adoleshentë janë 1291. Vizita diagnostike psikologjike për të rritur janë 671, vizita diagnostike psikologjike për fëmijë dhe adoleshentë janë 393. Shërbime pedagogjike janë 570 , laboratorike 369. Kemi 20 pacientë që janë trajtuar me metadon , konsulta jashtë klinike, si raste urgjente, pranime.”, thotë ai.

Mecinaj shton se nuk ka ndonjë indikacion që ka rritje të madhe të numrit të vizitave të pacientëve gjatë muajve të verës, por ai tregon se si staf po përballen me një problematikë tjetër.

Ai tregoi se në këtë klinikë kanë presion nga persona që i sjellin familjarët e tyre duke kërkuar t’i hospitalizojnë për një periudhë të caktuar derisa t’i përfundojnë pushimet verore apo për festa të ndryshme, në mënyrë që ata të ndihen “më komod”.

Drejtori i Klinës thotë se tash e një kohë të gjatë kanë mungesë të një medikamenti, i cili u jepet pacientëve në formë injeksioni, në çdo katër javë, ndërsa me barna të tjera ia dalin më mirë.

“Kemi mungesë të preparateve “depo”, çka i quajmë ne, të cilat merren zakonisht për katër javë si në formë të injeksionit dhe ka një vit e më tepër që nuk jemi furnizuar ende. Përgjigjja e SHSKUK-së tyre ka qenë që kontrata është shkëputur me furnizuesit me këtë medikament, dhe tash duhet të presim për procedurat e mëtejme”

Ai thotë se pacientëve këtë medikament ua zëvendësojnë me një terapi tjetër ditore, e cila nuk ofron siguri se pacienti është duke u trajtuar me rregull.

Klinika e Psikiatrisë ofron shërbimet ambulantore siç janë: shërbimi psikiatrik, specialistik, shërbimi psikologjik, shërbimi ambulantor për fëmijë dhe adoleshentë dhe është shërbimi i trajtimit me metadon, që funksionon që nga viti 2012.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)