Me gjithë ndarjen e buxhetit dhe hartimin e projektit ideor, ndërtimi i Muzeut të Historisë së Natyrës zor se mund të nisë brenda vitit.
Vënia e gurit themeltar për objektin ku do të vendosen eksponatet e natyrës e të shpaloset historia e saj, që ishte paralajmëruar për në muajin gusht të këtij viti, nuk do të mundë të bëhet së paku deri në fund të këtij viti, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ende nuk e ka pranuar projektin zbatues, i cili ka qenë dashur të jetë gati deri në mesin e muajit gusht. Rezultatet nga shpimet gjeomekanike e kanë vonuar këtë proces, pasi që është dashur të bëhen disa ndryshime të brendshme të projektit ideor.
Kompania e cila kishte dalë fituese e konkursit për hartimin e projektit ideor dhe projektit zbatues, ka kohë që këtë të fundit t’ia dorëzojë MKRS-së deri më 18 nëntor.
Kjo punë s’ka mundur të bëhet pa u finalizuar raporti apo elaborati, në të cilin bëhet shqyrtimi i gjeomekanikës së tokës, ku planifikohet ndërtimi dhe në bazë të të cilit elaborat hartohet projekti kryesor me llogaritë sizmike dhe statike të objektit. Për këtë punë MKRS-ja në fund të muajit gusht kishte shpallur tender dhe ka lidhur kontratë me çmim rreth 6 mijë eurosh, me kompaninë fituese “N.N. GEOKOS A&A”.
Ky proces e ka zvarritur projektin zbatues, i cili është duke u realizuar nga kompania “Hidroing – DK SHPK”.
Muzeu i Historisë së Natyrës qe paralajmëruar fillimisht të ndërtohej në kryeqytet, por MKRS-ja e Komuna e Prishtinës nuk ishin marrë vesh. Më 12 dhjetor të vitit që shkoi Komuna e Fushë-Kosovës kishte marrë vendim për ta aprovuar kërkesën për caktimin e lokacionit.
COMMENTS