Këshilltari i Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj po i hedh poshtë pretendimet e ministrit të jashtëm serb Ivica Daçiq, i cili tha se shumë shtete po e shqyrtojnë tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Madje krejt këto, ai po i quan çmenduri të ministrit serb.
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se shumë shtete po shqyrtojnë tërheqjen e njohjes për Kosovën.
“Unë kam biseduar me ministrat e vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën dhe ata vazhdojnë të qëndrojnë në pozicionin e njëjtë. Fola edhe me ministrat e vendeve që e kanë njohur, dhe ata po shqyrtojnë vendimet e tyre”, u shpreh Daçiq për një media serbe.
Mirëpo, këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj, duke i komentuar këto deklarata, tha se Daçiq është mësuar në humbjen e betejave dhe se procesi i shtetndërtimit të Kosovës është i pakthyeshëm.
“Daçiqi është mësuar me humb beteja dhe luftëra në raport me Kosovën. Republika e Kosovës nuk varet nga deklaratat e Daçiqit dhe as nga çmenduritë e tij. Procesi i forcimit dhe konsolidimit te shtetit tone është i pakthyeshëm”, u shpreh Zyberaj për Express.
Zyrtari i MPJ-së paralajmëroi se shumë shpejtë Kosovës do t’i shtohen edhe njohje të reja dhe se në këtë drejtim, është duke u bërë një punë e jashtëzakonshme.
COMMENTS