San Antonio rigjen fitoren në kampionatin e NBA. në AT&T Center skuadra teksane mposhti nënkampionët në fuqi me rezultatin 114-102, e megjithatë nuk ishte ky lajmi më i rëndësishëm i mbrëmjes.
Ylli i Cleveland, Lebron James shënoi 28 pikë në këtë ndeshje duke kaluar kuotën e 30 mijë pikëve të shënuar në karrierë, për t’u bërë i shtati basketbollist në historinë e NBA që e arrin diçka të tillë.
Duke u kthyer sërish te ndeshja, San Antonio që ka zbritur në vendin e katërt në Konferencën e perëndimit, arriti të fitojë në këtë sfidë falë 30 pikëve të Aldridge, ndërkohë që spikatën edhe Murray me 19 pikë e 10 topa në tabelë e Tony Parker me 14 pikë. Për Cavalieres, përveç James spikatën edhe Thomas e Crowder respektivisht me 14 dhe 13 pikë, statistika këto që nuk i shërbyen shumë skuadrës nga Ohio që pësoi humbjen e 6 në 7 ndeshjet e fundit ndërkohë që është në vendin e tretë në Lindje.
Golden State reagoi pas humbjes me Houston dhe këtë e bëri në dëm të New York Knicks në sfidën e zhvilluar në oracle Arena të Oakland. Fillimi nuk ishte i mirë për kalifornianët që në periodën e parë e panë veten në disavantazhin e 10 pikëve. Por Stephen Curry së bashku me Kevin Durant që shënuan respektivisht 32 dhe 14 pikë morën përsipër të nxjerrin skuadrën e tyre nga telashet e cila arriti të përmbysë këtë disavantazh dhe të fitojë krejt ndeshjen duke e ndëshkuar rëndë New Yorkun për të cilin 21 pikët e Michael Beasley nuk ndihmuan aspak.
Boston vazhdon të jetë në krizë. Skuadra e Celtics pësoi humbjen e katërt radhazi këtë radhë në Staples Center kundrejt Los Angeles Lakers me kalifornianët që regjistruan suksesin e 3 radhazi dhe të 7 në 9 ndeshjet e fundit.
Ishte një ndeshje e luftuar pikë për pikë nga të dyja skuadrat me Lakers që në fund morën më të mirën e saj falë Kyle Kuzma me 28 pikë, Jordan Clarckson me 22 e Julius Randle me 14 pikë e 14 tipa në tabelë. Për Bostonin Kyrie Irving shënoi 33 pikë e Marcus Smart 22 por që nuk e ndihmuan dot skuadrën e Celtics të evitojë disfatën e radhës. Në ndeshjet e tjera, Oklahoma fitoi me Brooklyn 109-108, ndërsa Sacramento mundi Orlando Magic 105-99.
COMMENTS