Një delegacion i Komunës së Lipjanit i udhëhequr nga Kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, sot në nderim të 19-të vjetorit të rënies së martirëve nga Komuna e Lipjanit, ka bërë homazhe dhe ka vënë kurora lulesh pranë kompleksit memorial në fshatin Hallaq i Vogël dhe Rufc të Ri.
Po ashtu gjatë ditës së sotme, nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, në Qendrën Kulturore “Tahir Sinani”, është mbajtur Akademi Përkujtimore, në nderim të 19-të vjetorit të rënies së dëshmorëve dhe martirëve të komunës së Lipjanit. Qytetarë të shumtë morën pjesë në këtë akademi për të nderuar të rënët, duke përkujtuar kështu 19-të vjetorin e terrorit dhe masakrave të forcave serbe në Komunën tonë.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti tha se sot nuk mund t’i shmangemi rikujtimit të atyre ditëve të Prillit, të Prillit të përgjakur, kur dhuna, krisma e vrasje, vaj e dhembje, kur era e shkatërrimeve mbuloi gjithë fshatrat tona e në veçanti në Sllovi, Hallaq i Vogël dhe Ribar i Vogël.
“Se Liria ka çmimin e vet gjithmon e patëm në ndërdijen tonë kolektive, prandaj dëshmorët dhe martirët tanë nuk u pushtuan, ata vetëdijshëm u flijuan për ndërtimin e vendit tonë të lirë, sepse lirinë mjafton ta besosh, siç besuan ata fuqishëm me sakrificën e tyre për shtet –formim dhe shtet – ndërtim”, tha Kryetarit Ahmeti.
Ai po ashtu tha se obligimi ynë i përbashkët është jo vetëm shënimi i përvjetorëve, por edhe përkushtimi, angazhimi konsistent, i përhershëm moral dhe institucional i punës me përgjegjësi për të realizuar amanetin, ënderren, idealin e gjithë dëshmorëve dhe martirëve tanë.
“Na thërret dhe na obligon gjaku i dëshmorëve dhe martiëve të kombit, na thërret e kaluara dhe e tashmja, na obligon loti e vajtimi i nënave e familjarëve të dëshmorëve e martirëve për t’i dhënë krah e fuqi vendit tonë, për të zhvilluar dhe integruar Kosovën tonë ashtu siç e deshi Adem Jashari e shumë e shumë dëshmor e martir të vendit tone”, ka shtuar kryetari Ahmeti.
Fjalë rasti pati edhe përfaqësuesi i fshatit Hallaq i Vogël, Mustafë Gashi. Ai tha se dëshmorët dhe martirët, janë gurëthemeli i vendit tonë, kujtimi për ta, do të ruhet ndër breza.
Akademia është përmbyllur me dy recitale dhe dy këngë korale.
Ulpianapress.com
COMMENTS