Brenda fshatit Harilaq të Fushë-Kosovës ndodhet Kalaja e njohur që kësaj komune i sjell vizitorë të shumtë. Fshatit turistik mund t’i zbehet imazhi i “Kalasë së Harilaqit” dhe të bëhet më i njohur për ekzistencën e një deponie të materieve të rrezikshme. Komuna dhe banorët e këtij fshati (që ka edhe pozitë të mirë gjeografike), janë kategorikisht kundër ndërtimit të deponisë. Vendimin për këtë ndërtim e mori Qeveria Haradinaj, para disa muajsh
Gazeta Express ka kontaktuar me palët e përfshira në këtë çështje. Përderisa Komuna e Fushë-Kosovës po kundërshton ndërtimin e kësaj deponie, banorët po mobilizohen për protestë, ndërsa Qeveria ka pranuar këto ankesa dhe të njëjtit thonë se shumë shpejt do të bëhet një zgjidhje e kënaqshme për të gjitha palët.
Maliq Berisha nga drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë në Komunën e Fushë-Kosovës, tha sot për Gazetën Express, se janë duke e bërë të pamundurën për të mos e lejuar ndërtimin e kësaj deponie.
“Ne si drejtorat dhe kryetari i Komunës jemi kundër vendimit që e ka nxjerr Qeveria e Kosovës ad hoc, sepse është një zonë shumë e ndjeshme. Ndërtimi i objektit paraqet rrezik. Banorët e fshatit Harilaq dhe ne si komunë do të kundërshtojmë dhe do të mundohemi me bë të pamundur ndërtimin e atij objekti, për me zhvendos në një lokalitet tjetër”, tha Maliqi.
Ai shtoi se kundërshtimin e kanë shprehur edhe përmes një kërkese zyrtare dërguar kryeministrit dhe ministrit të Ambientit.
Gazeta Express ka marrë një përgjigje edhe nga zyra e kryeministrit, Ramush Haradinaj. Zëdhënësja për media Donjeta Gashi tha se zyra e kryeministrit po i përcjell me vëmendje të gjitha zhvillimet, por ndërtimi i saj do të bëhet duke i respektuar të gjithë parametrat.
“Zyra e Kryeministrit është duke i përcjellë me vëmendje të gjitha zhvillimet në këtë drejtim. Kosova nuk ka pasur asnjëherë deponi për mbeturinat e rrezikshme dhe kjo është nevojë e pashmangshme e jona për ta ndërtuar atë. Është lajm shumë i mirë që ne tashmë kemi vendosur për një deponi të tillë. Ju sigurojmë që ndërtimi i saj është planifikuar të bëhet duke respektuar të gjitha parametrat”, tha Gashi.
Ajo shtoi se kërkesa e bërë nga kryetari i Fushë-Kosovës për mosndërtimin e këtij objekti është duke u shqyrtuar.
“Ne e kemi pranuar kërkesën e kryetarit të Komunës dhe banorëve dhe do ta shqyrtojmë me kujdes atë, në mënyrë që të bëhet zgjidhje e kënaqshme për të gjitha palët”, tha Gashi.
Aktori kosovar, Jeton Zogjiani, që ka prejardhje nga fshati Harilaq, ka paralajmëruar edhe protesta. Ai, mbrëmë ka shkruar në Facebook se duke protestuar do të arrijnë ta ndalin këtë ndërtim.
“Per gjendjen e deponise se materialeve te rrezikshme ne Harilaq, do te reagojme si banore, por ftojme ne perkrahje edhe Institutin e Shendetit Publik, shoqatat ambientaliste, Keshillin per Mbrojtjen e Lirive dhe te Drejtave te Njeriut, shoqatat e mjekeve kunder kancerit, qe te reagojme, te sensibilizojme banoret per rrezikun dhe ta prapesojme kete kanosje qe po na behet jo vetem fshatrave ku prek ky projekt kriminal por edhe me gjere sa ka efekt helmimi nga kjo deponi. Keshilli i banoreve do te behet, ne mbeshtetje, mediat do te informohen per aktivitetet e protestes dhe ftohen te luajne rolin e tyre edhe ne sensibilizimin e ndieshmerise se ketij projekti. Te bindur qe do ta bejne nese heshtim. Te bindur qe nuk mund ta bejne nese i kundërshtojmë”, ka shkruar Zogjiani.
Ndërsa, një nga drejtorët e komunës së Fushë-Kosovës, Maliq Berisha, përfundoi se objekti për deponimin e përkohshëm të materieve të rrezikshme po kundërshtohet fuqishëm nga Komuna.
COMMENTS