Komuna e Lipjanit ka marrë vendim që pas orës 18:00 të ndalohet qarkullimi i qytetarëve në sheshin “Adem Jashari” dhe në parqe publike shkaku i përhapjes së pandemisë. Mirëpo, ky vendim ka nxitur reagimet e bizneseve që operojnë në shesh dhe të opozitës.
Përmes një komunikate Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se me këtë vendim kryetari Imri Ahmeti është treguar i padijshëm dhe injorant ndaj bizneseve dhe po ashtu menjëherë ka filluar zvogëlimi i numrit të të punësuarve në këto biznese.
“Ne si PDK, gjatë ditës kemi pranuar shumë ankesa dhe shqetësime nga këto biznese, mirëpo shumë prej tyre nuk e kanë guximin që ta ngritin zërin sepse menjëherë inspektorati i hakmerret me ndëshkime të ndryshme. Komuna e Lipjanit është komuna më e varfër në nivel të Kosovës, andaj mbyllja e sheshit dëmton jashtëzakonisht shumë sektorin e bizneseve”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Sipas kësaj partie, komuna është dashur të mobilizohet në mënyrë që qytetarët t’i respektojnë masat mbrojtëse kundër virusit Covid-19 pasi që sipas tyre ka shumë raste që të infektuarit me Covid-19 po dalin nëpër qytet.
“Komuna asnjëherë nuk po ua ofron asnjë shërbim të infektuarve me Covid-19 andaj ata po shihen nëpër qytet. Komuna e Lipjanit po ashtu në kohë të pandemisë është dashur të fokusohet më shumë për të krijuar kushte në sektorin e shëndetësisë me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit derisa stafi mjekësor nuk kanë as mjete pune. Po ashtu komuna e Lipjanit është dashur të krijojë ekipe mobile për t’i vizituar të infektuarit me Covid-19 sepse shumica prej tyre kanë nevojë për ndihmë mjekësore”, thuhet në fund të komunikatës.
Në anën tjetër edhe përfaqësues të bizneseve kanë shprehur shqetësime për ndalimin e lëvizjes së qytetarëve në sheshin “Adem Jashari”.
“Deri tash pandemia ka shkaktuar dëme të mëdha në biznese, ndërkohë vendimi i komunës për ndalimin e lëvizjes së qytetarëve pas orës 18:00 e thellon edhe më shumë krizën financiare të bizneseve. Derisa institucionet publike marrin vendime të tilla, atëherë duhet të marrin edhe vendime për të siguruar paga për punëtorët tanë sepse me këtë gjendje ne nuk mund t’i mbulojmë as shpenzimet tona”, ka thënë për KOHËN njëri nga përfaqësuesit e bizneseve në Lipjan.
COMMENTS