Sot Kosova pritet ta marrë lajmin e mirë për çështjen e liberalizimit të vizave.
Klan Kosova e ka siguruar një dokument në të cilin tregohet agjenda e zhvillimeve dhe procedurave që duhet të kalojë ky proces, që kosovarët, në fund të vitit eventualisht në fillim të vitit të ardhshëm, pritet që të mund të lëvizin lirshëm, pa viza.
Pas shpalljes së përfundimit të të gjitha kushteve për Kosovën nga Komisioni Evropian, gjatë muajve korrik-shtator pritet që Këshilli i Bashkimit Evropian të diskutojë për raportin e pozicionit negociues të Këshillit.
Diskutimet pritet të bëhen në Grupet Punuese për Ballkanin dhe ato për Punë të Brendshme.
Paralelisht me procedurën ne Parlament Evropian mund të fillojnë edhe diskutimet në Këshill për të marrë mandatin për trialog.
Vendosjen në agjendë e bënë Presidenca aktuale e BE-së. Në këtë pikë, shtetet anëtare mund të kërkojnë informacione shtesë nga Komisioni Evropian i cili duhet të mbrojë propozimin për liberalizim të vizave në bazë të argumenteve që janë dhënë gjatë procesit.
Pas kësaj, në muajin shtator pritet që Këshilli i Bashkimit Evropian ta miratojë pozicionin negociues të Këshillit.
Ky akt votohet në nivel të ambasadorëve dhe i nevojitet shumica e kualifikuar prej 55 %.
Po këtë muaj, pritet që të mbahet edhe diskutimi mes Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian ku duhet të pajtohen për votimet përfundimtare.
Trialogun e fton Parlamenti Evropian por prezentë duhet të jenë të tri institucionet e lartëpërmendura.
Pas këtij diskutimi, nsëse dakordohen të tri institucionet, pritet që në fillim të muajit tetor të jetë votimi në seancë plenare të Parlamentit Evropian.
Pas votimit në Parlamentin Evropian që duhet të jetë me shumicë të thjeshtë, duhet të bëhet votimi në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së në Bruksel (COREPER) që planifikohet të ndodhë në muajin tetor ose nëntor.
Vetëm një javë pas votimit nga ky Komitet, pritet që vendimi për liberalizimin e vizave për kosovarët të votohet përsëri nga Këshilli i Bashkimit Evropian, por tani në nivel të Ministrave të Brendshëm, që është edhe votimi përfundimtar.
Nëse nga këtu, ky proces merr dritën e gjelbër, gjatë periudhës nëntor – dhjetor, gjithçka mbetet është ceremonia e nënshkrimit dhe publikimi i vendimit në Gazetën Zyrtare dhe hyrja në fuqi.
Nëse dialogu i Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë përfundon në dhjetor, atëherë BE-ja do të zotohet për liberalizim të vizave në një afat sa më optimal, që mund të jetë janari i vitit 2019.
Në rast se kështu ndodh, pra dialogu përfundon me marrëveshje të pranuar nga të dyja palët, atëherë Parlamenti Evropian pritet që më së voni në shkurt, kur e mban edhe takimin e fundit, para zgjedhjeve të reja për institucionet e BE-së, të votojë për këtë çështje.
Por, po nëse diçka nuk ec sipas planit, atëherë afat maksimal për lëvizjen e lirë pa viza, do të jetë 1 korriku, ndonëse me pikëpyetje.
Kjo pasi zgjedhjet për Parlamentin Evropian mbahen në maj, ndërsa konstituimi i institucioneve të reja bëhet tek në vjeshtë, që nënkupton vonim për liberalizim për Kosovën, por edhe vënie në mëdyshje të krejt procesit, pasi votimet mund të sjellin në pushtet, në BE, forca që janë kundër heqjes së vizave.
COMMENTS