Për shtatë muaj, raporti i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje Aida Dërguti me kolegun e saj partiak Albin Kurti, ka pësuar ndryshim të madh. Në maj të këtij viti, Dërguti e quante Kurtin “njeri intelektual, të guximshëm e besnik”, teksa shtatë muaj më vonë ajo iu referua me termin “m**” ish-kreut të Lëvizjes.
Në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Aida Dërguti ishte parë aktive në punën e saj si anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje. Teksa garonte edhe për një mandat të deputetes së Kuvendit të Kosovës, ajo lavdëronte Albin Kurtin, kandidatin e VV-së për kryeministër.
Dërguti vlerësonte se Kurti është politikan pakrahasimisht më i mirë se kundërkandidatët e tij për kryeministër, Ramush Haradinaj nga koalicioni PAN dhe Avdullah Hoti nga koalicioni parazgjedhor LAA.
“Kemi zgjedhur njeriun më të mirë mes nesh, njeriun më të guximshëm, përgatitja intelektuale e tij [Albin Kurtit v.j] është pakrahasimisht larg me kandidatët e tjerë dhe që ai mund ta përballojë çdo sfidë”, deklaronte Dërguti më 17 maj, pak javë para zgjedhjeve parlamentare.
E ftuar në emisionin “Magazina Zgjedhore” në televizionin Klan Kosova, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje theksonte se Kurti është “njeri i artikuluar, i guximshëm e besnik”.
“Nuk shoh rival ndaj Albin Kurtit, ai do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Është njeri i artikuluar, është i guximshëm, besnik karshi zotimeve që ka pasur. Pa problem ai e përballon këtë garë”, ishte shprehur Dërguti.
Por, shtatë muaj pas këtyre lavdatave që ia bënte Kurtit në publik, Dërguti u bë shkak i një përçarje brenda Lëvizjes Vetëvendosjes. E gjitha lidhet me një ofendim të saj ndaj Kurtit, që u bë publik sot, raporton Insajderi.
Deputetja nga Vushtrria ofendoi Kurtin në një komunikim me anëtarët e tjerë të kësaj partie në platformën komunikuese Viber. Dërguti e quante “m**” Kurtin, teksa pyeste për situatën e tij në Gjykatë.
COMMENTS