Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë se komisioni disiplinor ka nisur procedurën e trajtimit të rastit të Kushtrim Ramadanit, kandidat për asamble në Komunën e Prishtinës nga kjo parti në zgjedhjet lokale të tetorit, të cilit dyshohet se i janë gjetur lëndë narkotike në lokalin e tij.
“Nga ne varet se si përgjigjemi karshi asaj që ndodh. Në këtë drejtim, me të marrë lajmin për këtë rast, organi përkatës në LVV, Komisioni Disiplinor, ka nisur procedurën e trajtimit të rastit. Sigurisht, vendimi do të jetë në përputhje me rregulloren dhe i ngjashëm me raste të tilla, siç është suspendimi nga anëtarësia deri në vendimin e organeve të drejtësisë”, ka thënë Manxhuka për “KosovaPress”.
Ai gjithashtu u shpreh se Policia dhe Prokuroria merren me personat që kryejnë veprimtari të paligjshme.
“Një subjekt politik nuk i zëvendëson organet shtetërore si Policia dhe Prokuroria, rrjedhimisht, ne nuk mund ta dimë paraprakisht se kush merret me çfarë veprimtarie të paligjshme. Po ta dinim, puna do të ishte e thjeshtë”, shtoi ai.
Kushtrim Ramadani u arrestua të enjten në mbrëmje pas bastisjes në lokalin që e menaxhon. Me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje. Atij iu gjet drogë e një armë.
“Mbrëmjen e kaluar është arrestuar një i dyshuar në rrugën “Andrea Gropa” në Prishtinë, pas kontrollit të kryer në lokalin e tij. Sipas raportit policor, gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar katër gramë që dyshohet të jetë kokainë, një peshore digjitale, tre fishekë, një revole, 1300 euro dhe dy telefona”, thuhet në njoftimin e Policisë.


COMMENTS