NASA parashikon se një asteroid i madh i quajtur Bennu, dhe e ka madhësinë e Empire State Building, mund ta godasë Tokën, lajmëron “Washington Post”.
NASA ka raportuar se po e përcjellin me kujdes këtë asteroid me teleskopë dhe se OSIRIS-Rex, fluturakja e gjithësisë, është në rrugë kah asteroidi nga i cili duhet të dërgojë përgjigje për përbërjen e asteroidit, elementet dhe mineralet si dhe për substancat organike nëse i ka.
Ata theksojnë se nuk është kërcënim i drejtpërdrejtë për Tokën dhe se deri te goditja mund të vijë më 22 shtator 2135, por se megjithatë mund të shkaktojë dëme të konsideruara nëse bie në ndonjë vendbanim.
Astrofizikanët, në rast të rrezikut për planetin tonë, planifikojnë ta dërgojnë një raketë kah asteroidi, “shkatërrues” bërthamor nëntë tonësh për ta shtyrë asteroidin më tutje në orbitë.
Brent W Barbee, inxhinier në NASA për hulumtime të gjithësisë i cili është duke punuar rreth asteroidit të përmendur, pretendon se tani për tani ky plan është në formën teorike dhe se në të duhet punuar ende.
“Duhet të jemi të përgatitur dhe të gatshëm nëse tregohet se asteroidi është kërcënim për Tokën”.
Ky nuk është kërcënim i parë për Tokën për të cilin astrofizikanët po përgatiten viteve të fundit. Në vitin 2013, një meteorit i rëndë 10 tonë ka kërcënuar në rajonin e Uralit, dhe për shkak të kalimit të tij janë thyer xhamat nëpër ndërtesa në atë rajon me ç’rast me mijëra njerëz janë lënduar.
COMMENTS