3 maji shënon Ditën Botërore e Lirisë së Shtypit. Marrë shkas nga kjo datë, drejtori ekzekutiv i Insajderit, Parim Olluri, ka thënë se në Kosovë ka liri të mediave por nuk ka mjaftueshëm.
Olluri ka thënë se situata e gazetarëve në Kosovë po përkeqësohet vit pas viti.
“Është një situatë që vit pas viti po rëndohet më shumë duke marrë parasysh shumë faktorë që kanë ndikuar mbi punën e gazetarëve dhe mediave”, u shpreh Olluri në Info Magazine të Klan Kosovës. “Derisa njerëzit e fuqishëm të politikës dhe të biznesit në të kaluarën kanë kontrolluar lehtësisht mediat përmes financave sepse ka qenë një numër i vogël i televizioneve dhe gazetave të printuara”.
Ai ka pasur edhe vetë një rast të tillë pasi ai vetë ishte sulmuar vitin e kaluar.
“Kam qenë i atakuar në gushtin e vitit të kaluar, kam qenë personalisht i atakuar edhe në rrjete sociale. Përpos meje, kanë qenë edhe kolegë të Insajderit njejtë të atakuar edhe në rrjete sociale, edhe fizikisht”, u shpreh drejtori i Insajderit.
Olluri tha se politikanë dhe biznesmenë të fuqishëm i angazhojnë banditët që t’i sulmojnë fizikisht gazetarët.
“Mendimi im është që për shkak të pamundësisë të ndikimit me anën financiare, politikanë dhe biznesmenë të fuqishëm angazhojnë banditët e tyre që të sulmojnë fiziksht në rrugë dhe banditët e tyre virtualë që të sulmojnë në rrjetet sociale”, u shpreh Olluri.
COMMENTS