Opozita: Imri Ahmeti e ka ”ngulfatur” Komunën dhe transparencën

Opozita: Imri Ahmeti e ka ”ngulfatur” Komunën dhe transparencën

Topliqani pa rrymë e ujë që dy ditë

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, e ka ”ngulfatur ” Komunën që po drejton e bashkë me të edhe transprencën si segment kryesor të demokracisë. Kështu po vlerëson opozita e kësaj komune, e që po numëron edhe publikisht të bemat e Ahmetit.

Lulzim Rrustemi, kuvendar nga PDK e Lipjanit, vlerëson se transparenca është thember e akilit për kryetarin e Komunës karshi opozitës dhe qytetarëve!

“Derisa Faqja Zyrtare e komunës flet në superlativ për kryetarin e komunës dhe harron se në Lipjan ka parti opozitare që veprojnë dhe jane pjesë e kuvendit, e të cilat me asnjë fjale të vetme nuk përmenden gjatë gjithë vitit. Në Lipjan asgjë nuk mund te thuhet për transparencen perveç një bllokade totale të zanit opozitar, e më këtë krijohet edhe pamundësia që qytetaret të lexojnë e të njoftohen lidhur me veprimet e opinionet e opozitës karshi zhvillimeve në komunën tonë”, ka vlerësuar Rrustemi.

Madje kryetari dhe koalicioni qeverisës, sipas Rrustemit, bllokon çdo kërkesë të opozitës për të debatuar lidhur me çeshtjet në arsim, në bujqësi…

“Nuk ka gatishmëri për t’u përballur në kuvend me zanin e opozitës për shkeljet që po bëhen çdo ditë në arsim, rreth punësimeve pa kritere, punësimeve partiake, ndarje të subvencioneve jo bujqeve të vërtetë. Madje, deri tani nuk kemi asnjë peticion të qytetareve për të cilin është debatu në kuvend e qe ligji garanton dhe siguron mekanizmin demokratik te shprehjes se pakenaqesive te qytetareve lidhur me vendime te ndryshme. Peticionet e qytetarëve pushojnë me vite në sirtarët e kuvvendit pa ardhë asnjëherë per debate ne kuvend”, ka thënë Rrustemi, ndërkaq ka deklaruar: “Transparencen qe garanton ligji për opoziten dhe qytetaret e ngulfatë koalicioni qeverises me kryetarin në Lipjan!”.

Lidhur me këtë çështje, i të njejtit mendim me Rrustemin, ka qenë edhe kuvendari tjetër nga PDK, Argjend Tasholli. Ky i fundit ka deklaruar se kryetari Ahmeti asnjëherë nuk u dëshmua se është kryetar i të gjithë qytetarëve.

“Kryetari Ahmeti nuk vie në shprehje të jetë transparent në raport me ne opoziten. Ai premtoi shumë në fushatën zgjedhore, ndërsa realizimet deri me tani i ka zero dhe është gjynah i madh ta quajsh atë kryetar. Sepse, Imri Ameti, asnjeherë nuk arriti të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Lipjanit”, ka thënë Tasholli. Sipas tij, për t’u punësuar në komunën e Lipjanit, duhet obligativisht të jesh anëtar i LDK-së. “Imri Ahmeti asnjëherë nuk është transparent në raport me opozitën as me qytetaret kur janë në pyetje punësimet nëpër shkolla, dhënie të subvencioneve etj”, ka shtuar ai.

E kritika në këtë plan ka adresuar edhe VV-ja. Shkelzen Bislimi, kuvendar nga VV e Lipjanit, ka vlerësuar se sa i përket transparencës Imri Ahmeti është munduar të duket se është transparent, por që në realitet sipas tij, nuk është.

“Ka raste kur në Kuvend nuk e kthen përgjigjen adekuate për pyetjen që i është bërë, por vazhdon me krejt diçka tjetër, si ikje nga çështja dhe problemi i adresuar. Sa më shumë që e ndërron temën, aq më i vërtetë bëhet shqetësimi i ngritur. Transparenca në përgjithësi mungon në Komunën tonën, ndërsa vlerësimin që e bëjnë organizatat nuk është real , ngase për atë çka është shpall Komuna transparente, ajo në fakt e ka obligim ligjor ose janë ne interes të vetë komunës që të publikohen. Kurse asnjëherë nuk publikohen ato çfarë janë në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve”, ka mbyllur ai. /Ulpianapress/.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)