Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, e ka refuzuar si të pabazuar propozimin kryetarit të Lipjanit Imri Ahmeti, për vendosjen e masës së sigurisë ndaj gazetarit të “Ulpiana Press”, Granit Duriqi, për ndalimin e informacioneve, siç kishte pretenduar ai, të pavërteta me përmbajtje shpifje dhe fyerje ndaj tij.
Një gjë e tillë është vendosur nga gjykatësi Isa Gashi, ku sipas aktvendimit të 13 dhjetorit 2018, që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, paditësi Imri Ahmeti edhe pse ka pretenduar se gazetari Duriqi ka shpifur dhe fyer në dëm të tij dhe se i është shkaktuar dëm moral si rezultat i shkrimeve te tij në media, në aktvendimin e kësaj gjykate thuhet se me asnjë provë nuk e ka bërë të besueshme se ekziston një dëm i tillë dhe se në veprimet e të paditurit ka ekzistuar një nga elementet e shpifjes dhe fyerjes.
Sipas aktvendimit të gjykatësit Gashi, për tu aprovuar një masë e sigurisë duhet që propozuesi i sigurisë të bëjë të besueshme ekzistimin e kërkesës apo të drejtës subjektive të tij, e që në këtë rast nuk ka një besueshmëri të tillë.
Po ashtu, në arsyetimin e aktvendimit thuhet se kundërshtari i sigurimit, Granit Duriqi, për publikimet e tij në gazetën “Ulpiana Press”, të 22 tetor 2018, është bazuar në raportet e monitorimit nga OJQ “Polis”, të cilat janë të publikuara për shpenzimet e gjashtëmujorit të parë të 2018, ku flitet për shpenzimet e drekave dhe darkave zyrtare dhe jo zyrtare, të drejtorive komunale, ndërsa për publikimet e 24 tetorit 2018, është bazuar në të dhënat e publikuara në të përditshmen “Koha Ditore”.
Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 5 nëntor 2018, Imri Ahmeti kishte paditur gazetarin e portalit “Ulpiana Press”, për kompensim dëmi, pasi pretendon se ai ka bërë shpifje ndaj tij.
Sipas padisë, i padituri më 22 tetor 2018, në portalin “Ulpiana Press”, ka shpifur duke publikuar fakte të pavërteta me titull “Pushteti i Imri Ahmetit nuk ngopet, shpenzon mijëra euro për dreka”, duke përmendur shifrën mbi 15 mijë euro për gjashtë muajt e parë të këtij viti për dreka zyrtare.
Në padi thuhet se në të njëjtin shkrim i padituri kishte postuar foton e Imri Ahmetit, foton e komunës së Lipjanit dhe foton me disa kartëmonedha nga 500 euro, në mënyrë të paautorizuar, ndërsa e ka ditur ose është dashur ta dijë se kjo e shkruar nga ana e të paditurit është e pavërtetë dhe kuptimi i së cilës e ka dëmtuar rëndë reputacionin e paditësit dhe të familjes së tij.
Sipas padisë, për këtë shpifje dhe fyerje nga ana e të paditurit, më 23 tetor 2018, ka reaguar Komuna e Lipjanit, e cila shpifjen e ka kundërshtuar se për tetë muaj paditësi ka shpenzuar vetëm 317 .81 euro për dreka dhe darka zyrtare.
Po ashtu, sipas padisë, i padituri më 24 tetor 2018, ka bërë një postim në portalin “Ulpiana Press”, me foto të Komunës së Lipjanit dhe një sasi të kartëmonedhave nga 500 euro me titull “Për tre muaj Komuna e Lipjanit, i ka shpenzuar 30.000 euro për ushqim e karburant”.
Në padi thuhet se paditësi me SMS në “Viber” i ka paraqitur kundërshtimet duke i kërkuar të njëjtit medium “Ulpiana Press”, të bëjë demantimin e shpifjes dhe fyerjes së paraqitur, sipas Ligjit Kundër Shpifjes dhe Fyerjes.
Më tutje, në padi thuhet se edhe organizata jo-qeveritare “POLIS”, ka bërë sqarim lidhur me postimin që përmban shpifje të paraqitur nga ana e të paditurit.
Sipas padisë, paditësi i gjetur në gjendje të rëndë të cenimit të personalitetit, dinjitetit dhe autoritetit, i është shkaktuar shqetësim, çrregullim në jetën e tij, ku ka preokupime që i shkaktojnë pasoja psikike në kryerjen me sukses të detyrave.
I padituri deri në ditën e përpilimit të kësaj padie nuk ka ndërmarr asnjë veprim në drejtim të zbutjes së dëmit të shkaktuar, me ofrimin e kërkim faljes apo ndonjë veprimi tjetër.
Paditësi me këtë padi kërkon nga gjykata që ta detyrojë të paditurin Granit Duriqi, gazetar i “Ulpiana Press”, që paditësit t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar si pasojë e publikimit të fakteve të pavërteta në portalin “Ulpiana Press”, më 22 tetor 2018, me titull “Pushteti i Imri Ahmetit nuk ngopet, shpenzon mijëra euro për dreka”, si për artikullin e 24 tetorit 2018, me titull “Për tre muaj Komuna e Lipjanit 30 mijë euro për ushqim e karburant”.
Gjithnjë sipas padisë, në këtë mënyrë ia ka cenuar dhe dëmtuar personalitetin dinjitetin, reputacionin, ashtu që paditësi për këtë dëm, të shpërblehet në shumë prej 10 mijë euro, si dhe në të ardhmen t’i ndalohet të shpif dhe të fyej si dhe të detyrohet t’i tërheq postimet e paraqitura lidhur me personalitetin e paditësit.
Në padi thuhet se meqenëse i padituri ka vazhduar të bëjë publikime duke e fyer paditësin, i kanë propozuar gjykatës që të caktohet masë e përkohshme e sigurisë dhe t’i ndalohet të paditurit Granit Duriqi, gazetar në portalin “Ulpiana Press”, që të përhap në vazhdim informacione të pavërteta me përmbajtje shpifje dhe fyerje, në drejtim të paditësit.
COMMENTS