Pas Shpend Maxhunit për gylenistët do të japë llogari edhe Thaçi

Pas Shpend Maxhunit për gylenistët do të japë llogari edhe Thaçi

Ministrja Reshitaj “zbulon” diçka që bota e di prej që kur ekziston njerëzimi

Shpend Maxhuni ishte në krye të njërit nga institucionet më të rëndësishme të sigurisë në vend ditën kur për në Turqi nga Kosova u deportuan gjashtë shtetas. Pavarësisht një operacioni të organizuar mirë që mori vëmendjen e të gjitha mediave botërore, ai u shpërblye me një post edhe më të lartë, atë të parit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Për të gjitha prapavijat e asaj çka ndodhi nën menaxhimin e tij, Maxhuni do të jap llogari sot për herë të parë para komisionit parlamentar. Pas tij do të intervistohet edhe klasa udhëheqëse politike, përfshirë këtu edhe presidentin Thaçi.

Ka kohë që Komisioni i krijuar në Kuvend ka filluar intervistimin e disa personave që mendohet se kanë dorë në organizimin e planit të depërtimit të gjashtë shtetasve të Kosovës për në Turqi ditën e 29 marsit.

Deri më tani për disa orë janë intervistuar disa zyrtarë të Policisë e pas saj u tha se prej informacioneve që anëtarët e komisionit i konsideruan si të bollshme, disa prej tyre janë edhe kontradiktore.

Pas vartësve të tij, do të intervistohet edhe ish-shefi, Shpend Maxhuni.

Nënkryetari i komisionit, Driton Selmanaj, në një prononcim për Gazetën Express ka thënë se deri më tani nga intervistat që kanë bërë është vërejtur tejkalim i kompetencave.

“Ne dilema kemi pas deri sot, përmes intervistave që i kemi bërë me policinë duket se ka në situate të caktuara mos ushtrim të kompetencave që i kanë pas e në situate të caktuara tejkalim të kompetencave që i kanë pas, unë pres që sot me i konfirmu edhe ky ato sepse prej policëve të thjeshtë, prej shefave të policisë të operacioneve që i kanë kry ne veç i kemi marrë konfirmimet, tash na duhet edhe një konfirmim prej nivelit më të lartë të vendimmarrjes të policisë edhe atë e pres që ky të konfirmojë të gjithë ata që të tjerët na kanë thënë, të gjitha dyshimet që i kemi pas vetëm se i kemi konfirmu me intervista që i kemi kry”, shtoi ai.

Sipas asaj që tha Selmanaj, ata që janë intervistuar veçse kanë ditur më parë për operacionin.

“Kemi fol me njerëzit prej momentit që janë informu një ditë përpara, deri si kanë hyp në makinë, ku kanë shku, ku i kanë dërgu njerëzit kujt ja kanë dërgu, ja kanë dorëzu, e këto kanë marrë kohë, tash do të merremi me përgjegjësi ligjore që i kanë bartësit e institucioneve në raste të tilla. Të gjithë ata që janë intervistu kanë qenë përgjegjës, por jo të gjithë kanë dhënë informacione relevante për komisionin, disa nga ta edhe i kanë ikë përgjigjeve që nuk kanë pas informata, sepse ligji e thotë nëse ata nuk kanë përgjegjësi ose gënjejnë kanë përgjegjësi penale”, shtoi deputeti i LDK’së.

Shpend Maxhuni është edhe personi i fundit që do të intervistohet në fazën e parë. Pas tij e kanë radhën krerët e shtetit, përfshirë këtu edhe presidentin, institucioni i të cilit nuk i ka dorëzuar këtij komisioni asnjë dokument.

“Me Shpend Maxhunin përmbyllet faza e parë, vazhdohet me nivelin tjetër të vendimmarrjes përfshirë këtu edhe kryeministrin edhe ministrin e Punëve të Jashtme, ish-Ministrin e Punëve të Brendshme, sekretarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Presidentin, tash është niveli politik i vendimmarrjes, institucionet që kanë marrë përgjegjësi publike në vendimmarrje, deri tash jemi marrë me ata që kanë marrë pjesë në pjesën operacionale të rastit. Do të bëhet një raport përmbajtëse dhe do të preken institucionet të cilat do të japin përgjegjësi sepse nuk mjafton vetëm me shkarkim të një ministrit ose ndërrimi i vendit të Shefit të AKI-së, nuk guxon kështu do të jepet edhe përgjegjësi penale. Nuk është rast rutinë, Kosova mund të përballen me pasoja afatgjata për këtë sjellje të papërgjegjshme si shtet”, deklaroi ai.

Por, pavarësisht atyre që thotë se kanë marrë deri më tani informacion, shqetësim po mbetet që partitë në pozitë nuk po lejojnë që këto intervista të mbahen me dyer të hapura për media.

“PDK ma shumë po shumica e partive në pushtet janë kundër që komisioni të mbahet i hapur për media, si arsyetim ndjeshmëria e rastit më mirë të jetë i mbyllur, po unë personalisht dhe në emër të LDK-së mund të them që këto mbledhje mund të jenë krejtësisht të hapura vetëm në raste të vogla për shkak që ideja e komisionit hetimor është që në fakt të bëhet publike gjithçka çka ka ndodh dhe është në interes të publikut të dëgjohen dëshmitarët. Të gjitha ato raste që kanë ndodhë që cenohet privatësia ose dokumentet që janë konfidenciale, pjesën tjetër nuk ka asnjë kuptim logjik që këto mbledhje të mbyllen por ju po e shihni edhe vetë në mbledhjen e komisionit hetimor shumicën e kanë partitë në pushtet dhe mendimi i tyre gjithmonë është që asnjë takim të mos bëhet i hapur gjithmonë të jetë i mbyllur”, tha Selmanaj.

Pas Shpend Maxhunit nuk është vendosur ende se kush do të intervistohet e një vendim i tillë do të bëhet pas mbledhjes së sotme.

Nga hierarkia e personave që atë kohë qenë përgjegjës pati shpëtuar vetëm Shpend Maxhuni, pasi që ish-shefi i AKI-së Driton Gashi dhe ish-ministri i Punëve të Brendshme Flamur Sefaj u shkarkuan nga kryeministri Haradinaj.

Një muaj pasi rasti ndodhi Maxhuni u vendos në krye të Institucionit më të lartë të sigurisë.

Kosova është vendi i parë që ekstradon shtetas turq që konsiderohen si gylenitë nga pushteti i Erdoganit. Deri më tani asnjë vend i Bashkimit Evropian dhe as SHBA nuk ka ekstraduar në Turqi asnjë gylenistë pasi shteti turk ka dështuar të ofrojë prova të mjaftueshme se kundërshtarët e Erdoganit kanë kryer ndonjë vepër terroriste. /Express/

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)