Pas ushqimeve, shqiptarët harxhojnë më së shumti për lojërat e fatit

Pas ushqimeve, shqiptarët harxhojnë më së shumti për lojërat e fatit

“Vuçiq iu premtoi amerikanëve që Kosovës do t’ia dorëzojë karrigen në OKB”

A shpenzojnë shqiptarët për lojëra fati, më shumë sesa për banesën, shëndetin, transportin?

Duket e çuditshme, por nëse i referohemi shifrave zyrtare të INSTAT për konsumin e familjeve dhe deklarimeve të kryeministrit për shumat e shpenzuara në lojërat e fatit, shqiptarët rezultojnë se kërkimin e fatit e kanë shpenzimin e dytë, pas ushqimeve, që është nevoja bazë e çdo familjeje.

Sipas të dhënave të INSTAT, në anketën e Buxhetit të Familjeve për vitin 2017, shpenzimet totale mujore për rreth 770 mijë familje ishin 56.5 miliardë lekë në muaj, ose 678 miliardë lekë në vit. E konvertuar në euro, me kursin mesatar të atij viti, kjo shumë është rreth 5 miliardë euro. Pjesa më e madhe e këtyre shpenzimeve, rreth 44% shkon për t’u ushqyer. Kjo peshë është më e larta në Europë (mesatarja e Europës për ushqime është rreth 12% dhe e rajonit luhatet mes 20 dhe 40%), duke treguar për një varfëri të lartë të shqiptarëve, që vetëm pasi plotësojnë nevojat bazë të të ushqyterit fillojnë të mendojnë për argëtime të tjera.

Në vlerë absolute, shpenzimet për ushqime e pije jo alkoolike ishin 2.2 miliardë euro në një vit, raporton “Monitor”.

Pas ushqimeve, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, renditen “Shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike, qira të paguar”, me 10.9% të totalit, ose 550 milionë euro.

Në vend të tretë, është transporti, me 7.2%, ose 365 milionë euro. Më pas renditen “Restorante dhe hotele”, me 251 milionë euro, “Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje të zakonshme të banesës”, me 242 milionë euro dhe më pas grupet e tjera kanë një shpenzim vjetor më të ulët sesa 200 milionë euro (shih grafikun).

Por, nëse i referohemi deklarimeve të kryeministrit Rama se shuma reale e shpenzuar për lojëra fati është 700 milionë euro, atëherë Shqipëria kthehet në një vend unik, ku 14% të shpenzimeve të një popullsie (6% të prodhimit të brendshëm bruto) shkojnë vetëm për lojëra fati dhe për më tepër renditen të dytat pas ushqimeve.

Në fakt, sipas deklarimeve zyrtare të kompanive, industria e lojërave të fatit qarkulloi në vitin 2017 rreth 130 milionë euro (shiko tabelën), ose 5 herë më pak të shumës që pretendohet se qarkullon realisht.

Edhe nëse kjo shifër e deklaruar zyrtarisht nga kryeministri është reale, atëherë rezulton se shteti ka lejuar që nën hundën e tij të jetë zhvilluar një evazion galopant me humbje të rënda për arkën e buxhetit, që mund të arrijnë deri në 200 mln euro (operatorët e tregut pohojnë se ata sot paguajnë rreth 50 mln euro taksa).

Operatorët e lojërave të fatit deklarojnë se shuma prej 700 milionë eurosh është jo reale. “Vlera prej 700 milionë eurosh e lidhur me aktivitetin e lojërave të fatit dhe e lakuar nga Kryeministri nuk është një shifër reale. Aktiviteti është shumë më pak se kaq të paktën ky është perceptimi im duke pasur parasysh qarkullimin zyrtar që deklarohet nga kompanitë që kanë licenca” shprehet për Monitor, Artan Shyti, Kryetar i Shoqatës së Basteve Sportive.

INSTAT, sipas metodologjisë së publikuar, i llogarit shpenzimet për lojërat e fatit në zërin e “Argëtim dhe kulturë”, që zyrtarisht rezulton të jetë ai për të cilin shqiptarët shpenzojnë më pak, me rreth 153 milionë euro në vit.

Anketa e Buxhetit të Familjes 2017 u krye nga INSTAT përgjatë gjithë vitit, me një kampion prej 9.312 njësi ekonomike familjare.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)