Parlamentit Shqiptar, në zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit, i janë bashkuar disa pasanikë të rinj.
Duket se jo rastësisht, krerët e forcave kryesore politike, kanë përfshirë në listat fituese, njerëz me fuqi të madhe ekonomike. Shqiptarja.com publikon ekskluzivisht pasurinë e të tjerë ligjvënësve, të cilët kanë marrë për herë të parë mandatin e deputetit në 2017. Agron Shehaj, deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Vlorës, posedon një pasuri prej dhjetëra miliona euro, rrjedhojë e aktivitetit në fushën e biznesit.
Deputeti demokrat deklaron një apartament në Milano, me sipërfaqe 204 m2, me vlerë 1 905 000 euro. Shehaj deklaron të drejta të arkëtueshme vetëm në shoqërinë Sestante Holding srl, me vlerë mbi 17 milionë euro. Si burim, deputeti referon shitjen e aksioneve në disa kompani me vlerë mbi 11 milionë euro. Ligjvënësi deklaron llogari banakre në Cassa Rurale Renon, në Itali, në vlerën 259 mijë euro, llogari banakre në Intesa San Paolo Bank, në Itali, në vlerën 347 mijë euro si dhe një llogari banakre në Intesa San Paolo Bank në Shqipëri, në vlerën 338 mijë euro. Gjithashtu, deputeti demokrat deklaron të drejta të arkëtueshme në dy shoqëri të tjera në vlerat 300 mijë euro dhe 378 mijë euro.
Referuar deklaratës së pasurisë së administruar nga ILDKP, Shehaj deklaron gjithashtu një kthim borxhi familjar në vlerën 340 mijë euro si dhe shlyerje të pjesshme e vlerës së kontratës së shitjes së kuotave në disa shoqëri në vlerat 1 milion euro, 65 mijë euro, 70 mijë euro, 284 mijë euro, 300 mijë euro, 400 mijë euro si dhe një detyrim ndaj shoqërisë Intercom Data Service, në vlerën 1 490 000 euro. Deputeti Agron Shehaj deklaron edhe një apartament banimi në Tiranë, me sipërfaqe 106 m2, me vlerë 125 mijë euro. Shehaj dhe bashkëshortja e tij Enida Shehaj deklarojnë gjithashtu edhe paga nga kompanitë, ku deputeti është administrator apo drejtor ekzekutiv.
Deputeti i ‘pastrehë’ me tre shtëpi
Deputeti i Partisë Socialiste, Ismet Beqiraj, ka përfituar një apartament banimi në Ballsh, me vlerë 1 850 787 lekë, duke marrë një kredi me interes zero nga Enti Kombëtar i Banesave. Zakonisht, kreditë nga Enti Kombëtar i Banesave përfitohen me statusin e të pastrehut. Por, deputeti deklaron edhe një apartament tjetër banimi në bashkëpronësi me vëllain, në Durrës si dhe një apartament banimi me sipërfaqe 91 m2, në Tiranë, me vlerë 31 100 USD.
Për apartamentin e fundit, si burim, deputeti deklaron 6 100 USD nga të ardhurat personale nga puna si dhe 22 000 USD dhuruar nga vëllai, i cili merret me aktivitet ndërtimi. Ismet Beqiraj deklaron gjithashtu pagën e tij si pedagog pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, pagën e bashkëshortes Nadire Beqiraj si specialiste pranë Ujësjellës Kanalizime Tiranë, pagën e vajzës Erinda Beqiraj pranë Fondit të Detyrueshëm të Sigurimit Shëndetësor, pagën e vajzës tjetër Ervisa Beqiraj pranë Credins Bank si dhe pagën e vajzës tjetër Ina Beqiraj si specialiste në Drejtorinë e Teknologjisë së Informacionit në Postën Shqiptare.
Flamur Golemi, deputet i PS
Deputeti i Partisë Socialiste, Flamur Golemi, deklaron një shtëpi banimi në Gjirokastër, me sipërfaqe 94 m2, me vlerë 3 700 000 lekë, shitjen e një banese në Tiranë me vlerë 5 800 000 lekë, makinë me vlerë 12 mijë euro, makinë Toyota Auris me vlerë 5 500 euro, llogari banakre në Credins 44 mijë euro depozitë në BKT, me interes vjetor 2 %, 42 mijë euro etj.
Për të gjitha këto pasuri, si burim, deputeti socialist deklaron kursime ndër vite, pagën si mjek dhe të ardhura nga puna pranë shoqatës APRAT. Ndërsa deputetja socialiste Tatiana Piro deklaron lokal dy kate plus tre kate nën tokë, me vlerë 60 000 000 lekë, shtëpi banimi 55 m2 në Lushnje, me vlerë 500 000 lekë, tokë truall 1000 m2, në Divjakë në Lushnje, 1 710 000 lekë, tokë ullishte me 110 rrënjë ullinj, me vlerë 1 100 000 lekë, tokë arë në Lushnje, 8690 m2, makinë tip benz 14 mijë euro, stoli për gra 2 800 000 lekë, të ardhura nga biznesi 25 285 200 lekë, të ardhura nga bar-restoranti 11 271 884 lekë, të ardhura nga kompania e ndërtimit 23 553 950 lekë etj.
COMMENTS