Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se nuk ka indikacione se Serbia njeh pavarësinë e Kosovës dhe e lejon atë të marrë një vend në OKB.
Daçiq për ‘TV Pink’, ka theksuar se duhet të gjendet një zgjidhje kompromisi e cila do t’i eliminonte konfliktet.
“Ne nuk jemi të interesuar për ta përkeqësuar situatën, por të jemi të qetë dhe të zbatojmë marrëveshjet e Brukselit”, është shprehur ministri serb dhe iu ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të deklarohen nëse e dëshirojnë Serbinë si një partner ose si një ‘peng i keq’ i marrëdhënieve, transmeton lajmi.net.
Ai ka thënë se do të presin deri më 20 prill për të parë se a do t’i përmbush Prishtina detyrimet e marrëveshjes se Brukselit për Asociacionin e komunave serbe. “Nëse marrëveshja nuk përmbushet, Serbia do të vendosë se si do të veprojë tutje”.
Ndërkohë, arrestimin e Marko Gjuriqit në Prishtinë, Daçiq e ka krahasuar me Pablo Eskobarin (diller droge).
“Unë mendoj se Pablo Eskobar kishte trajtim më të mirë gjatë arrestimit, ai nuk u lëndua. Gjuriq nuk është një kriminel që ka shkelur ligjin, kjo mund të bëhej ndryshe”, ka deklaruar Daçiq.
Sipas tij, faji i BE-së është i madh, pasi Bashkimi Evropian garantonte realizimin e gjithçkaje të rënë dakord në Bruksel.
COMMENTS