Komuna e Lipjanit për një vit ka realizuar 37 marrëveshje të bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit me partnerë vendorë e ndërkombëtarë, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore, shkollore, shëndetësore dhe disa projekte të tjera në ujësjellës, kanalizim dhe në fushën e bizneseve.
Këto të dhëna janë paraqitur në raportin njëvjeçar të punës së ekzekutivit, në të cilin janë përmendur edhe një varg sfidash me të cilat është përballur kjo komunë gjatë 2022-s.
Njëra nga këto marrëveshje e cila është cilësuar me rëndësi mjaft të lartë nga banorët e Janjevës është projekti për rregullimin e rezervarit të ujit të pijshëm dhe rehabilitimi i ujësjellësit në këtë lokalitet. Këtë marrëveshje komuna e pati bërë me organizatën “DEMOS” përmes platformës “CIVIKOS”. Për mungesë të ujit në këtë lokalitet KOHA ka raportuar disa herë pas ankesave të banorëve.
“Platforma Civikos në kuadër të aktivitetit të Auditimit Social në Komunën e Lipjanit, do të përzgjedh një grup të qytetarëve të përbërë prej 15 deri 20 qytetar, të cilët në një mënyrë ose tjetër ndikohen nga projekti kapital që zbatohet nga Komuna. Përveç tyre, grupi mund të përbëhet edhe nga profesionistë të lëmive të ndryshme si inxhinier, arkitekt, psikolog etj të cilët mund të kenë edhe njohuri profesionale dhe teknike varësisht nga natyra që e ka projekti”, thuhet midis të tjerash në njërën nga këto marrëveshje.
Si marrëveshje tjetër për bashkëfinancim, komuna e Lipjanit ka realizuar edhe me organizatën “VORAE” për ndërtim të një objekti për komunitetin shkali në Gadime, pastaj projekte të tjera për mekanizëm në bujqësi ka realizuar edhe me organizatën “Qatar Charty”.
Po ashtu me këtë organizatë ka pasur memorandume edhe për ndarjen e 400 pakove ushqimore për skamnorët. Ndërkaq, me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal , sipas raportit ka realizuar marrëveshje për rregullimin e hapësirave publike si rregullimi i infrastrukturës rrugore në Lipjan dhe lokalitete, ndërkaq nga niveli qendror ka pasur marrëveshje për rregullimin e zonës industriale në Qylagë. Me Organizatën “Caritas” ka realizuar marrëveshje për “Riintegrim të komunave dhe diasporës”, ndërkaq, me KRU “Prishtina” dhe KRM ”Pastërtia” janë realizuar një varg projektesh në fushën e ujësjellësit dhe ambientit.
Kryetari i Kësaj komune, ka thënë se gjatë vitit të kaluar janë realizuar një varg projektesh nga këto marrëveshje të bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit.
“Si komunë gjatë një viti kemi nënshkruar gjithsejtë 37 marrëveshje bashkëpunimi me partner vendor e ndërkombëtar që ka shënuar progres për avancime në investime për Komunën dhe qytetarët tanë. Pasi që këto marrëveshje kanë shënuar rezultate pozitive dhe korrekte , komuna jonë është partnere në shumë projekte të tjera për 2023-n me partner të tillë. Pra, edhe një herë po e ritheksoj se objektivë e përhershme mbetet transparente e llogaridhënie në fushën ligjore. Kështu që Lipjani mbetet konkurrent i fortë në zhvillimet e përgjithshme”, ka thënë Ahmeti.
COMMENTS