Pranimi i faktit që Serbia e ka humbur Kosovën, do të ishte zgjidhja më e lehtë për Beogradin, në rrugën e kësaj të fundit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kështu është shprehur në një bisedë me shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Toby Vogel, njohës i zhvillimeve në Ballkan dhe analist në Qendrën për Studime Politike Evropiane në Bruksel.
“Më së lehti do të ishte që Beogradi, më në fund, të pranonte faktin që e ka humbur Kosovën dhe që e ka humbur, jo për shkak të bombardimeve të NATO-s, por për shkak të veprimeve të veta gjatë më shumë dekadave në Kosovë. Në qoftë se do ta pranonte këtë, atëherë përfundimi logjik do të ishte që ta pranojë të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, që do të nënkuptonte pavarësinë dhe sovranitetin e plotë, jo vetëm de facto , por edhe pavarësinë legale. Me fjalë të tjera, më së lehti do të ishte që Beogradi ta pranojë Kosovën”, ka thënë Vogel.
Ndonëse faza e re e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në përgatitje e sipër, ende nuk është bërë e ditur se çfarë do të përfshijë. Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë se dialogu do të shënoj një “kërcim kualitativ” deri në fund të vitit 2018, atëherë kur edhe zonjës Mogherini i përfundon mandati.
Por, Vogel ka theksuar se duhet pasur kujdes ndaj tendencës që gjërat të përshpejtohen,vetëm sepse ekzistojnë afate artificiale.
“Në qoftë se dy vendet, Kosova dhe Serbia, nuk janë të gatshme që ta përmbyllin një marrëveshje kyçe, të cilën të dy vendet do ta respektonin, atëherë nuk mendoj se që është e dobishme që të arrihet një marrëveshje e tillë, sepse do të jetë vetëm një copë letre, e cila do të lihet pas dore më vonë. Kemi pasur raste të tilla në të kaluarën”, ka theksuar Vogel.
Ai ka shtuar se është fakt që Bashkimi Evropian nuk ka ndonjë strategji tjetër për Ballkanin Perëndimor, përveç zgjerimit. Sipas tij, ekzistojnë procese paralele, të cilat i mbështetë Bashkimi Evropian, sikurse procesi i Berlinit ose bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndonëse proceset e tilla, në një masë, janë të pavarura nga njëra-tjetra.
Vogel ka shprehur mendimin se Bashkimi Evropian duhet t’i shqyrtojë mundësitë se si mund t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimorë, që ato t’i reformojnë sistemet e tyre vendore, të drejtësisë, të ekonomisë dhe sociale, në mënyrë që ato të bëhen vende më të mira. Një gjë e tillë, siç thotë ai, do të çonte gati se automatikisht drejt shndërrimit të tyre në kandidatë shumë më të besueshëm për anëtarësim në BE.
Siç është thënë edhe më herët, Serbia, por edhe Mali i Zi, do të jenë anëtarët e ardhshme të Bashkimit Evropian. Por, Serbia do të bëhet anëtare pa Kosovë, të cilën e quan pjesë të saj. Në këtë rast, Vogel konsideron që nuk ekziston rreziku që pesl vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin shtetin e Kosovës,t’i shtohet edhe një vend, në këtë rast Serbia, gjë që do ta vështirësonte rrugën e Kosovës kah Bashkimi Evropian.
“Jo, sepse do të duhet që të ekzistojë qartësi e skajshme rreth kësaj çështje: që Serbia nuk do të mund të bllokojë Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit për shkak të çështjes së statusit ose për shkak se Serbia konsideron se është çështje e statusit. Duhet të eksitojnë qartësi absolute se kjo nuk do të ndodhë. Natyrisht që Serbia nuk do të pengohet në bllokimin e Kosovës në çështjet tjera. Gjithmonë do të ketë çështje të tjera, të cilat do të shfrytëzohen si mjete për bllokim. Në mënyrë ironike, Kosova ka problem të njëjtë me Qipron, ashtu sikurse me Serbinë. Kundërshtimi i Qipros për ta pranuar pavarësinë e Kosovës, në fakt ndërlidhet me situatën në Qipro dhe jo me miqësinë e saj me Beogradin”, ka thënë Vogel.
Sipas tij, edhe në qoftë se Beogradi do ta njihte që nesër Kosovën, është vështirë e besueshme që edhe Qipro do ta bënte të njëjtën gjë.
COMMENTS