Shpend Ahmeti, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të komunës së Prishtinës është dorëzuar përfundimisht, ku të mërkurën ka nënshkruar marrëveshje parazgjedhore me Selim Pacollin, i cili ishte në garë për kryetar të komunës së Prishtinës nga radhët e Aleancës Kosova e Re.
Burime të besueshme të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se me marrëveshjen e nënshkruar AKR-ja do ta ketë pozitën e nënkryetarit të komunës, si dhe di ti ketë pesë drejtoritë kryesorë të komunës.
“AKR-ja do ta ketë drejtorinë e urbanizimit, por edhe drejtori të tjera, nëse koalicioni në fjalë arrin ti fitoj zgjedhjet” ka bërë të ditur burimi i gazetës “Zëri”.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përmes një komunikate, vlerëson se kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, pasi ka pranuar sondazhet e fundit, i përballur me panikun e humbjes së zgjedhjeve dhe zbulimin e skandaleve nga auditori, po kërkon shpëtim nga koalicionet e biznesit në dëm të interesave të qytetarëve të Prishtinës.
LEXO EDHE: LDK: Shpendi në panik, kërkon shpëtim nëpërmes koalicionit të biznesit
“Shpend Ahmeti dhe partia e tij Vetëvendosje, gjatë kësaj fushate zgjedhore janë përballur me heqjen e maskës së propagandës dhe keqmenaxhimit të evidentuar nga auditori dhe ndodhen në panik për shkak të rritjes së fuqishme të përkrahjes për kandidatin e LDK-së, Arban Abrashi, i cili sipas të gjitha sondazheve do të zgjidhet kryetar i Komunës së Prishtinës”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
LDK thotë se “Vetëvendosje dhe AKR duhet ta dinë se vullneti i qytetarëve të Prishtinës për ndryshim, nuk është një pazar që dikush e shet (AKR) dhe dikush tjetër e blenë (Vetëvendosje). Qytetarët e Prishtinës janë njerëz të lirë dhe të devotshëm të këtij shteti që vendosin vetë për fatin e tyre dhe po shihet qartë se ata janë përcaktuar për ndryshim, i cili vjen nëpërmes Abrashit dhe ekipit të tij”.
“Marrëveshja e Vetëvendosjes me AKR-në, është kryekëput klienteliste dhe ka për qëllim bërjen e pazareve të ulëta biznesore, ndarjen e profiteve në dëm të interesave të qytetarëve të Prishtinës. Vetëvendosje është e njohur për diskursin e saj politik kundër AKR-së, madje këtë parti Vetëvendosje e ka akuzuar edhe për tradhti dhe lidhje afariste me Rusinë”.
“Vetëvendosje dhe Shpend Ahmeti janë të njohur për qeverisje me zhurmë dhe pa bërë asgjë, për injorim të kuadrove të Prishtinës, për rekrutim të 500 militantëve nga komunat tjera, një pjesë e të cilëve janë edhe organizatorë të shkatërrimit të qytetit, tani dalin dhe lidhin koalicion me një parti të cilën e kanë etiketuar klienteliste dhe me lidhje të dyshimta”, thuhet në kumtesë.
COMMENTS