Partia Demokratike e Kosovës (PDK), jo zyrtarisht ka filluar fushatën elektorale për zgjedhjet nacionale që pritet të mbahen së shpejti. Së bashku me fushatën kanë filluar edhe premtimet. Si gjithmonë të zakonshme dhe klishe.
Në një postim në Facebook, nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ia bëri sefte me një premtim duke thënë se në qeverinë e ardhshme në krye me PDK-në do të ketë zvogëlim të numrit të ministrive.
“Kjo mund të arrihet me grupimin e ministrive sipas profilit, por sidomos sipas prioritetit të vendit. Kështu që plani i PDK-së për një qeveri të vogël në legjislaturën e ardhshme është që të miratohet Ligji për Qeverinë dhe kështu ta zvogëlojë në mënyrë drastike numrin e ministrive”, kishte shkruar Hoxhaj.
Pas tre orësh, të këtij premtimi edhe shefi i Hoxhajt, Kadri Veseli erdhi me një premtim të zakonshëm që jemi mësuar ta dëgjojmë në çdo fushatë zgjedhore. Pjesëmarrjen sa më të madhe të grave në vendim-marrje, shkruan Insajderi.
Në një tubim që kishte mbajtur sot i pari i PDK-së, Kadri Veseli me gratë në qytetin e Lipjanit, ju kishte premtuar grave se në qeverinë e ardhshme të udhëhequr nga ai, pjesëmarrja e grave do të jetë shumë e madhe.
Veseli përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, kishte shkruar se gratë e Kosovës kanë dhënë një kontribut të madh në çdo etapë të rëndësishme të vendit tonë, gjatë qëndresës ndaj okupatorit, në luftën për liri dhe sot në shtet-ndërtim.
“Gratë kanë dhënë një kontribut të madh në çdo etapë të rëndësishme të vendit tonë, gjatë qëndresës ndaj okupatorit, në luftën për liri dhe sot në shtet-ndërtim. Jam i bindur se do të kenë një rol vendimtar në luftën ndaj korrupsionit që do të zhbllokojë potencialet zhvillimore të Kosovës. PDK është lidere në Kosovë për sa i përket përfshirjes së grave në vendim-marrje. Në qeverinë time të ardhshme pjesëmarrja e grave në qeveri do të rritet edhe më shumë”, ka shkruar Veseli.
COMMENTS