Presidenti i FFK-së, Agim Ademi përgëzon KF Ulpianën për inkuadrimin në Superligë

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi përgëzon KF Ulpianën për inkuadrimin në Superligë

Policia largon veturat nga vend parkingjet e ndaluara në Lipjan (Foto)

Presidenti Agim Ademi nëpërmjet një mesazhi ka uruar dy skuadrat kampione në grupet A dhe B të Ligës së Parë, FC Malisheva dhe KF Ulpiana, të cilat sot në ndeshjet e javës së fundit të këtij edicioni garues e kanë siguruar kalimin në Superligë për edicionin e ri.

FC Malisheva e përmbylli edicionin si kampion i Grupit A, me 60 pikë (19 fitore, 3 barazime e 5 humbje), duke e lënë prapa KF Dukagjinin, me dy pikë më pak.

Ndërkaq, KF Ulpiana ishte kampion në Grupin B, me 53 pikë (15 fitore, 8 barazime e 4 humbje), duke e lënë prapa Flamurtarin, me vetëm një pikë më pak.

Kësisoj, në ndeshjen e barazhit të Ligës së Parë do të luajnë Dukagjini dhe Flamurtari, derisa fituesi i kësaj ndeshje do të luajë më pas ndeshje barazhi për hyrje në elitë me skuadrën e renditur në pozitën e tetë të Superligës.

Mesazhi i plotë i presidentit Ademi:

Sot mësuam dy skuadrat që edicionin e ardhshëm garues do të jenë pjesë e futbollit elitar në vendin tonë. Përgëzime për KF Ulpiana dhe KF Malisheva, të cilat e përmbyllën në mënyrë triumfuese një edicion me konkurrencë shumë të fortë e të paqartë deri në javën e fundit në Ligën e Parë.
Po ashtu, sot me titullin e kampionit u kurorëzuan edhe futbollistet e Mitrovicës, të cilat po e vazhdojnë dominimin në Ligën e Femrave, duke iu gëzuar titullit të katërt radhazi.

Uroj që klubet e inkuadruara në Superligë të vazhdojnë ngritjen e tyre si në aspektin organizativ, ashtu edhe në atë të cilësisë brenda skuadrave, teksa KFF Mitrovica i dëshiroj përfaqësim të denjë në Ligën e Kampionëve.

Suksesi juaj është arritur si rezultat i angazhimit dhe punës së madhe të drejtuesve të klubit, stafit të trajnerëve, stafit teknik e mjekësor, por pa dyshim më të merituarit janë lojtarët, të cilët përgjatë tërë edicionit kanë luajtur me përkushtim maksimal.

Ju inkurajoj të vazhdoni me vendosmëri dhe përkushtim në arritjen e sukseseve të reja!

Ju priftë e mbara!

Me respekt,
Agim Ademi – President i FFK-së

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)