Në Gjimnazin “Ulpiana” në Lipjan, nxënësit – me paratë që i marrin nga prindërit e tyre – e paguajnë sigurimin fizik me nga tri euro në vit, në mënyrë që të ketë siguri më të lartë në ambientin shkollor.
Përderisa kjo marrëveshje është arritur mes shkollës dhe prindërve, ka nga ata që shprehin pakënaqësi për obligimin që u është shtuar për pagesa të tilla.
Nxënësi i kësaj shkolle H.K që është në klasën e 10-të, ka treguar për KALLXO.com që sigurimin e paguajnë në fillim të vitit shkollor. Ai tha se nuk e sheh të arsyeshme pagesën pasi që nuk punojnë dhe i obligojnë prindërit për një gjë të tillë.
Ai gjithashtu ka treguar se në shkollë ka përleshje të shpeshta, por prapë sigurimin nuk e sheh si mjet për t’i ndaluar përleshjet.
Drejtori i gjimnazit, Semir Gashi, tha se është viti i dytë në Gjimnazin “Ulpiana” që kanë vendosur roje fizike te dera e shkollës. Sipas tij, kjo është një praktikë që e kanë marrë nga shkollat e komunave tjera. Ai shprehet se askush nga organet drejtuese të shkollës nuk ishte kundër kësaj mënyre të pagesës.
“Prej kur është bërë sigurimi i objektit, nuk kemi pasur thyerje të shkollës”, tha Semir Gashi.
KALLXO.com, ka kontaktuar edhe me drejtorin e Arsimit në Komunën e Lipjanit, Rasim Hasani. Ai ka thënë se ky është vendim i këshillit drejtues të shkollës duke mos shprehur qëndrim tjetër.
Kurse, Ministria e Arsimit, në përgjigjet e dhëna ka thënë se çështja e sigurimit fizik të nxënësve në shkolla është kompetencë e Komunës.
COMMENTS