Protesta e fermerëve të Lipjanit, kërkojnë kompensim për dëmet e janarit 2021

Protesta e fermerëve të Lipjanit, kërkojnë kompensim për dëmet e janarit 2021

Foto Toli: Faleminderit të dashur klientë

Me dhjetëra fermerë sot u mblodhën në protestë para Komunës së Lipjanit. Ata po kërkojnë kompensim për dëmet e shkaktuara para gati 1 viti nga vërshimet.

Protestuesit po pretendojnë se Komuna e Lipjanit ka anashkaluar 47 fermerë të cilët aplikuan për kompensim, duke dërguar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural një listë me 19 persona tjerë, emrat e të cilëve nuk janë publikë.

Fermeri Bunjamin Jashanica thotë se Komuna nuk është marrë me kërkesat e tij.

“Kërkesat tona lidhen me vërshimet që kanë qenë në janar, Ministria e Bujqësisë i ka nda 1.7 milion euro për këto vërshime. Ne kemi apliku në Komunë, ka ardhë komisioni edhe e ka bo verifikimin, pas verifikimit nuk janë marrë me lista tonat hiç. I kanë marrë 19 persona tjerë, e kanë bërë një listë veçmas dhe e kanë dërgu në Ministrinë e Bujqësisë”, tha Jashanica.

Fermerët protestues gjatë ditës së hënë janë takuar me kryetarin e Komunës, Imri Ahmeti, por që nuk janë ndarë të kënaqur me çfarë ka ndodhur gjatë takimit.

“Ministria e Bujqësisë i ka kallëzu, qysh i keni çu qata 19 tjerë ju, sjellni edhe qeta 47 tjerë dhe pagesa bëhet maksimalisht deri në ditën e premte. Kryetari u shpreh në formë banale që është turp për të, jo tha nuk mundeni me hi këtu në zyrë hiç, mu nuk më han për këtë punë hiç, është turp për një kryetar dhe nuk e kemi pritë prej tij”, shtoi tutje Jashanica.

Për shkak të vërshimeve, dëmtime kishte pasur edhe fermeri tjetër, Kosovë Kelmendi, i cili pjesëmarrjen e sotme në protestë po e sheh si mundësi për të kërkuar drejtësi.

“Lypim drejtësi se pse 47 persona nuk jemi në listë në Komunë, kurse 19 persona prej Imri Ahmetit janë në listë, dojna me i ditë shkaqet dhe me i bo publike qata 19 persona kush janë ata bujq”, u shpreh Kelmendi.

Kryesuesi i Komisionit për vlerësimin e dëmeve në Komunën e Lipjanit, Haqif Rrustemi, thotë se Qeveria i ka ndarë vetëm 70 mijë euro për kompensim të dëmeve, nga 140 mijë sa kanë qenë vlerësimet.

“Vendimi i Qeverisë është i datës 21 janar 2021, ku shihet se janë ndarë mjete në shumën prej një milion euro për ekonomitë familjare. Me këtë vendim është autorizuar Ministria e Pushtetit Lokal që të bëjë alokimin e mjeteve dhe ajo e ka bërë këtë alokim të mjeteve për ndihmë në këtë formë, ku Komuna e Lipjanit është e parafundit dhe se ju kanë ndarë 70 mijë euro vetëm për sektorin e ekonomive familjare”, thotë ai.

Rrustemi tha se nga shuma e lëshuar nga Qeveria e Kosovës për Lipjan janë kompensuar 48%  të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

“Për sektorët tjerë të dëmtuar siç janë ekonomitë bujqësore ose tokat bujqësore, fermerët, infrastruktura publike apo bizneset nuk ka pasur asnjë cent. Vendimi i Qeverisë kishte thënë asokohe se dëmet e shkaktuara në sektorin e bujqësisë do të kompensoheni nga buxheti i Komunës dhe nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural bazuar në kërkesat e komunave dhe nga kriteret e përcaktuara nga ministria”, ka thënë Rrustemi.

Nga Komuna e Lipjanit thonë se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i mbulojë të gjitha shpenzimet e dëmeve nga vërshimet, por që ende nuk kanë marrë përgjigjje.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)