Pse drejtorët e përgjithshëm ekzekutivë (CEO) në SHBA kanë paga aq marramendëse?

Pse drejtorët e përgjithshëm ekzekutivë (CEO) në SHBA kanë paga aq marramendëse?

“Alarmi” në aeroport (Foto/Video)

Një raport i ri nga Instituti i Ekonomisë Politike vë në dukje se sa shumë fitojnë krerët e kompanive gjigante në Amerikë. Drejtorët ekzekutivë të 350 kompanive më të mëdha janë paguar mesatarisht me nga 18.9 milionë dollarë secili për të gjithë periudhën e vitit 2017.

Këto paga janë 312 herë më të larta se paga mesatare e punonjësve në industritë e tyre. Janë shumë para, dhe një ndryshim shumë i madh që nga viti 1965, kur paguheshin vetëm 20 herë më shumë se punëtori mesatar. Por a ka ndonjë problem me këtë? Nëse po, cili është me saktësi?

Ekonomistët e Institutit të Ekonomisë Politike kanë dokumentuar se shefat e kompanive amerikane paguhen me aksione. Për këtë arsye, të ardhurat e tyre vjetore luhaten bashkë me tregun. Rreth 80% e rrogës u jepet nëpërmjet aksioneve. Rritja me 17% në vitin 2017, kur kishin kaluar dy vite pa asnjë luhatje, tregoi se rroga e tyre u rrit bashkë me tregun. Dhe ata morën shumë para. Ndërsa 20%-shi tjetër i rrogës nuk pati asnjë ndryshim.

Shifrat nga Amerika janë tronditëse, por duhet pasur parasysh që tregojnë jo vetëm mënyrën se si menaxhohen kompanitë atje, por edhe ndryshimet që kanë ndodhur ndër dekada me strukturën e ekonomisë dhe me ligjet e taksave. Në mënyrë specifike, tregon rritjen e madhe të vlerës së aksioneve për kompanitë teknologjike e financiare, si dhe rënien e korporatave industriale. Kjo ka sjellë paralelisht edhe rënien e sindikatave, të cilat kanë qenë aktive në sektorët ku mbizotëronin 50 vite më parë.

Veç kësaj, që nga viti 1978 ka pasur ulje të taksave mbi të ardhurat dhe mbi fitimet e kapitaleve. Kjo ka bërë që drejtorët ekzekutivë t’i ndryshojnë kërkesat për rrogën. Ata janë larguar nga ofertat që veç pagës të kenë akses në bonuse brenda korporatës, (si përdorimi i apartamenteve të shtrenjta dhe pjesëmarrja në klube luksoze), dhe kanë preferuar më shumë paga me aksione dhe me parà në dorë. Varësia e firmave teknologjike nga kapitalet me aksione burse, dhe “psikologjia e fluskës”, ka bërë që kjo rrymë të thellohej edhe më shumë.

Vini re që kjo lloj pasurie ka edhe diçka artificiale. Xhef Bezos, për shembull, mund të ketë rreth 150 miliardë dollarë, kryesisht nga aksionet e Amazon. Por ai s’mund t’i kthejë në para të thata, edhe sikur të dojë. As duke i shitur, as duke i vënë për hua. Po të përpiqej t’i shiste, do t’u binte vlera e do të zhdukej edhe pasuria e tij. Të pasurit nuk janë si ne. Vërtet kanë shumë para, por disa kanë një lloj paraje që mund të zhduket shumë lehtë, me miliarda njëherësh, në një kohë shumë të shkurtër.

Veç kësaj, informacioni që kemi është për 350 drejtorët ekzekutivë të kompanive që janë bërë publike në bursë, (pra jo kompani të ngritura fonde firmash investimi, apo me kapitale private), dhe, sipas ligjit, Komisioni Amerikan i Sigurisë dhe Këmbimit (SEC) i detyron kompanitë që të tregojnë se sa i paguajnë drejtorët ekzekutivë dhe sa paguajnë punëtorët.

Por a është Amerika kaq e veçantë? Në krahasim me Japoninsë, po. Japonezët kanë ruajtur atë modelin e suksesshëm industrial që bëri të zhvendosen shumë kompani të mëdha amerikane, një brez më parë.

Po në krahasim me Gjermaninë? Nuk mund ta dimë. Firmat gjermane janë kryesisht prona private, ndaj nuk janë të detyruara të raportojnë. Të pasurit elitarë të Gjermanisë i kanë ende të freskëta kujtimet e Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe, ndaj nuk kanë dëshirë ta vënë në dukje pasurinë.

Në krahasim me bankierët britanikë, gjasat janë që nuk ka shumë ndryshim midis super-pasanikëve të Londrës dhe atyre të Nju Jorkut. Të mos fillojmë me oligarkët rusë apo me princat sauditë, të cilët fitojnë aq shumë sa drejtorët ekzekutivë të Amerikës do të duken të varfër.

Raporti ngre argumentin e natyrshëm dhe të pakundërshtueshëm, që paga e drejtorëve ekzekutivë nuk varet nga aftësia sa ç’varet nga humori i tregjeve dhe nga fuqia e momentit e kompanive teknologjike, financiare apo të naftës. Por nuk na nevojitet kjo provë për të sjellë argumente në debatin se sa eficient e bëjnë tregun e punës këto lloj rrogash. Nëse kjo gjë nuk u bë e qartë me krizën financiare që sapo u kalua, nuk ka për t’u bërë me asgjë tjetër.

Çështja më e rëndësishme që ngre ky raport është ajo që raporti nuk e diskuton. A është ide e mirë që pagesa e drejtorëve ekzekutivë të kompanive më të mëdha të varet nga bixhozi i bursave? Motoja e përsëritur e ekonomistëve financiarë që në vitet 1970 ka qenë “të maksimalizohet vlera e aksioneve”. Le të vendosë tregu. Punëtorët dhe konsumatorët duhet të lihen të lirë që t’ia dalin mbanë vetë.

Por kjo moto ka prodhuar një botë me korporata grabitqare, që plaçkitin e zhvatin asete. Ka krijuar një botë me pasuri të mëdha nga teknologjia dhe bankat në të dy brigjet e Amerikës, dhe në djerrinat industriale që gjenden midis tyre.

Epoka jonë, me lehtësime për ata që prodhojnë në sasi të mëdha, dhe me ulje taksash për të ndihmuar blerjen e aksioneve, ka bërë që të vihen në fuqi politika qeveritare që kanë si synim të zhvillojnë tregjet e bursës, ndërkohë që korporatat dhe konsumatorët janë ata që mbartin borxhin që këto politika lënë pas.

Si rrjedhojë, Amerika është një vend me pasuri, dinamizën dhe fuqi, por të cilat kanë në paralel edhe falimentime, zhvendosje të kompanive jashtë vendit, papunësi, bllokim të pronave nga banka, dhe njerëz të mbushur me mëri e të gatshëm të besojnë premtimet prej “shërimtari” që jep Donald Trump.

350 drejtorët ekzekutivë më të mirëpaguar të Amerikës nuk janë vërtet përgjegjës për këtë. Mesa di unë, ata janë burra e gra që punojnë fort, të aftë dhe të përkushtuar. Por janë një mikrokozmos i qartë i asaj që jemi bërë tashmë.

James K Galbraith, The Guardian.

Autori është profesor në Universitetin e Teksasit, në Austin, dhe shkrimtar i librit “Pabarazia: Çfarë duhet të dinë të gjithë”./tch

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)