Nga një lojtar i huazuar te NAC Breda dhe jo shumë i njohur, te Manchester City dhe tashmë ka debutuar edhe me fanellën e Kosovës – Arijanet Muriqin e pret në karrierë e artë.
Portieri i ri i Kosovës, gjatë verës u kthye nga huazimi te NAC Breda me kërkesë të klubit, pas lëndimit të Claudio Bravos.Atë kohë, në gusht, Guardiola kishte zbuluar se arsyeja e vërtetë e kthimit të Muriqit, ishte se s’kishte më kohë për të blerë portier dhe se Muriqi e njeh shumë mirë frymën në Manchester City.
“Që nga fillimi ka qenë Aro, Aro – ishte opsioni i vetëm”, kishte thënë Guardiola në gusht.“Afati kalimtar është i mbyllur, kështu që nuk mund të blejmë. Kur morëm vesh për mundësinë që Aro të kthehet, vendimi ishte i shpejtë”.
“Ne e njohim atë. Sezonin e kaluar është stërvitur me ne gjatë gjithë kohës dhe e di mënyrën se si punojmë. E huazuam sepse ekipi i dytë nuk është kompetitiv. Donim që ai të luante çdo vikend”, këto ishin fjalët e Guardiolës pas rikthimit të Muriqit në Man City.
Ky rikthim i Muriqit ndodhi për shkak të lëndimit të rëndë të portierit numër 2 në portë, Claudio Bravo, dikur njëshi i Barcelonës.Ndërsa mbrëmë, në një intervistë për KTV-në, edhe Muriqi foli se si ndodhi që të kthehet te skuadra e Pep Guardiolës.
“Mendoj se ishte zgjedhja e trajnerit të portierëve, vendosi që të kthehem, edhe pse jam i ri. Madje edhe e Pep Guardiolës, e njoh atë, edhe ai më njeh mua. Dhe nëse më beson, më beson më të vërtetë”, deklaroi Muriqi.
Muriqi ka bërë dy paraqitje me Cityn në Kupën e Anglisë dhe pothuajse vazhdimisht është në stol për ndeshjet e Premierligës në gjendje gatishmërie në rast se lëndohet Edersoni. /Insporti.
COMMENTS