Shkruan: Granit Duriqi
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Lipjan tash e disa vite është shndërruar në simbol të një sistemi të kalbur, ku shërbimi ndaj qytetarit është katandisur në minimumin e mundshëm dhe askush nuk po jep përgjegjësi.
Shumë qytetarë, përfshirë edhe vetë mua, kemi qenë dëshmitarë dhe viktima të një qasjeje të papërgjegjshme, mungese totale të profesionalizmit dhe një menaxhimi të përçarë nga brenda. Grupet që janë krijuar aty brenda, zyrat që funksionojnë në heshtje të ftohtë, dhe mosrespektimi i orarit të punës nga disa ty janë bërë normalitet. Madje, në disa raste edhe mungesa e materialeve elementare si NACL është shndërruar në një “detaj” të zakonshëm.
Kjo gjendje ka pasur pasoja të rënda për qytetarët. Rreth dy muaj, banorët e Lipjanit janë detyruar të endeshin natën me dhjetëra kilometra nepër qytete tjera për të kërkuar një barnatore të hapur, sepse kujdestaria farmaceutike mungonte. Në një qytet me mijëra banorë, mungesa e një sistemi të kujdesshëm kujdestarie është thjesht e pafalshme.
Rasti im i fundit është dëshmia më e qartë për këtë degradim. Pas një lëndimi të rëndë me një mjet të mprehtë metalik, më duhej urgjentisht vaksina kundër tetanusit. Ndërkohë që Urgjenca reagoi në mënyrë profesionale, QKMF-ja, institucioni që duhej të ishte i gatshëm në çdo moment ishte krejtësisht jashtë loje. Askush nuk ndjeu përgjegjësi, “eja nesër”. U injorova me qetësi të ftohtë, si të mos ekzistoja.
Dhe ky nuk është një rast i vetëm. Është produkt i një dështimi menaxherial të vazhdueshëm, i dy figurave që prej vitesh kanë pasur në dorë timonin e shëndetësisë në këtë komunë. Njëri e sheh veten si “padron teknik” në QKMF-së, tjetri si “drejtor politik” të dy të zhytur në rehati e paaftësi.
Por për fatin e keq, fatura e këtij dështimi rëndon mbi dikë tjetër. Dikë që qëndron më lart, në një zyrë tjetër, me një emër që nuk po përmendet, por që e di vetë se është koha të reagojë. Sepse heshtja e tij po e bën bashkëfajtor në këtë gjendje mjerimi.
Në fund, Zoti qoftë me ne qytetarët që ende kemi durim, shpresë dhe besim në një sistem që po na lodh çdo ditë e më shumë.
Dhe teksa po i shkruaj këto rreshta, Urgjenca e Lipjanit po punon në temperatura të larta, pa freskin e bollshme me klima, me fluks të madh pacientësh dhe përkundër kushteve, janë të palodhshëm. Nuk dua që ky shkrim të keqkuptohet si përgjithësim, ka profesionistë që japin maksimumin me mish e shpirt. Kritika është për sistemin, për dështimet në organizim, jo për ata që, edhe në këtë vapë e në këto kushte, mbajnë mbi supe barrën e shëndetësisë publike.
Vet me keni ftuar në luftë, tash më pritni fundërrina.
COMMENTS