Aaron Ramsey u ka thënë lamtumirë tifozëve të Arsenalit pas 11 viteve, pasi transferimi i tij në Juventus u bë zyrtar një ditë më parë. Ai thotë se tani do ta nisë kapitullin e ri në Torino me bardhezinjtë.
Kontrata e përfaqësuesit të Uellsit me Arsenalin mbaron në qershor dhe si rrjedhojë ai ka nënshkruar kontratë të re me Juventusin, transmeton Gazeta Express.
“Siç mund të keni dëgjuar, unë kam nënshkruar parakontratë me Juventusin. Prandaj, desha ta lëshoj një deklaratë personale për të gjithë tifozët e Arsenalit, të cilët kanë qenë shumë besnikë dhe përkrahës”, shkroi Ramsey.
Ramsey, i cili do ta veshë fanellën e Topçinjve deri në fund të këtij sezoni para se t’i bashkohet Juves, thotë se e ka të vështirë të largohet nga Londra.
“Më mirëpritet si adoleshent dhe më keni qëndruar pranë gjatë kohërave të mira dhe të këqija në karrierën time në këtë klub. Më dhemb zemra të largohem pas 11 viteve të jashtëzakonshme në Londrën e Veriut. Faleminderit”, shtoi ai.
Ai ka nënshkruar kontratë deri më 2023 me Juventusin, dhe do të ketë pagë vjetore në vlerë 20 milionë funte.
COMMENTS