Ratifikimi i Demarkacionit do t’u hapte rrugë edhe proceseve tjera

Ratifikimi i Demarkacionit do t’u hapte rrugë edhe proceseve tjera

Aksioni i policisë në veri dhe taksa ndaj mallrave serbe, reagon Rusia

Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, duhet ta kuptojnë rëndësinë e ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionit, jo vetëm pse është një kusht për liberalizimin e vizave, por edhe si marrëveshje e cila definon kufirin mes dy shteteve, Kosovës dhe Malit të Zi, vlerësojnë analistët politikë në Kosovë. Sipas tyre, tashmë është koha e fundi kur Kuvendi duhet t’i japë fund demarkacionit me Malin e Zi.

Analisti Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se sa më parë që Marrëveshja e Demarkacionit të kalojë, aq më mirë do të jetë për Kosovën dhe qytetarët.

“Nëse përfitimet do të jenë të menjëhershme në liberalizimin e vizave, ato do të jenë pra edhe në raport të konsolidimit të shtetësisë së Kosovës dhe mbi të gjitha, që opinioni publik dhe gjithë skena politike të lirohet prej kësaj teme dhe të fillojë të merret me adresimin e shumë problemeve që po përballemi si shoqëri”, konsideron Krasniqi.

Analisti Krasniqi thotë se politikanët duhet bëjnë kompromis dhe që të gjejnë zgjidhje për çështje të rëndësishme për vendin.

Sipas tij, kur politikanët bëjnë gabime, duhet të lëshojnë pe dhe ta pranojnë kompromisin, në të kundërtën, siç thotë ai, nuk duhet bërë politikë vetëm për konsum të brendshëm.

“Nëse dështon ky ratifikim i kësaj marrëveshjeje, atëherë po tregohet një mungesë serioziteti i tërë skenës politike në Kosovë dhe është vështirë për të arritur një konsensus përmes mjeteve demokratike”, shprehet Krasniqi.

Nga ana tjetër, analisti politik, Ismail Hasani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se nëse Kuvendi i Kosovës ratifikon marrëveshjen, përmbushet një nga obligime e vëna nga BE-ja, por sipas tij, mbetet pezull kushti tjetër – ai për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Edhe po të miratohet në javën që vjen demarkacioni në Kuvendin e Kosovës, është pikëpyetje e madhe se a do t’i hapet rruga Kosovës sa i takon liberalizimit të vizave, sepse humbja e kredibilitetit të lidershipit një, dhe e dyta kushti tjetër zvarrë që i rri Kosovës pas miratimit të demarkacionit, e që është i lidhur me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë dy nga kushtet, të cilat nuk japin shumë shpresë që zgjidhet përfundimisht izolimi total i popullsisë së Kosovës”, vlerëson Hasani.

Partitë politike në koalicionin qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, Aleanca Kosova e Re, si edhe partia politike opozitare Lidhja Demokratike Kosovës, kanë arritur një konsensus për votimin e Marrëveshjes së Demarkacionit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar dakordimin e tij me versionin e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për votimin e projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Haradinaj është pajtuar që raporti i Komisionit Shtetëror për kufirin, të jetë vetëm informues dhe jo pjesë e pakos së projektligjit për demarkacionin, i cili pritet të votohet të mërkurën.

Në një përllogaritje të thjeshtë, nëse PDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe LDK-ja bashkë me pakicat joserbe në Kuvend, e votojnë marrëveshjen, megjithatë nuk sigurohen ende 80 votat e kërkuara.

Të gjitha këto subjekte së bashku kanë 78 vota gjithsej. Andaj, ratifikimi i Demarkacionit mbetet ende i varur edhe nga 2 – 3 vota që duhet të sigurohen nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Megjithatë, deri në këtë fazë, Haradinaj ka konfirmuar po ashtu se nuk ka marrëveshje që garanton votat nga Lista Serbe, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.

“Ende nuk kemi konsensus me Listën Serbe, nuk e di a do të arrihet”, tha Haradinaj.

Komisioni Evropian e ka bërë të qartë se pa ratifikimin e Demarkacionit, Kosova nuk do të mund të përfshihet në zonën e lëvizjes së lirë, brenda BE-së, pa viza.

Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Si e tillë, kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës.

Afati i fundit për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, në mënyrë që Kosova të përfshihet në agjendën për liberalizimin e vizave, mbetet 28 shkurti, kur edhe është caktuar vazhdimi i seancës.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)