Menjëherë pas konferencës për shtyp të Edi Ramës, mbas rikthimit nga vizita dy ditore në Gjermani, reagoi edhe nënkryetari demokrat i Kuvendit, Edi Paloka.
Në një dalje për mediat Paloka u shpreh se në Berlin, Ramës iu bë e qartë se pa Saimir Tahirin para drejtësisë, Bashkimi Evropian do të jetë një derë e mbyllur për Shqipërinë.
“Nuk prisnim sot që Edi Rama t’u thoshte të vërtetën shqiptarëve për vizitën e tij në Berlin.
E vërteta është se pa Saimir Tahirin para drejtësisë, Bashkimi Europian do të jetë një derë e mbyllur për Shqipërinë.
Me keqardhje, duhet të pohojmë, se nuk ka vend për optimizëm, për sa kohë Edi Rama nuk ka përmbushur detyrat: të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, të shkëpusë lidhjet e politikës me krimin, të lejojë drejtësinë të veprojë me Saimir Tahirin.
Këto janë parakushtet që Berlini pret të plotësohen që të hapë dritën jeshile për negociatat e Shqipërisë”, tha Paloka.
Sipas tij pengesa për Shqipërinë nuk është opozita, nuk janë miqtë e Shqipërisë në Berlin që kërkojnë standard gjerman për Saimir Tahirin dhe luftën kundër krimit të organizuar.
“Opozita ka dhënë mbështetje të pakushtëzuar dhe ka lobuar në Berlin e kudo që Shqipërisë t’i hapën negociatat si mjeti më efikas për të shtuar presionin dhe monitorimin ndaj një qeverie që nuk zbaton asnjë standard evropian.
Shqiptarët meritojnë ta dinë të vërtetën: pengesa e vetme për Shqipërinë Evropiane është Edi Rama, lidhjet e tij me krimin dhe mbrojtja politike për Saimir Tahirin”, përfundoi Paloka./Gazeta Express
COMMENTS