Dy dekada nga dita kur vdekja e vizitoi fshatin e vogël të Reçakut në Shtime, të mbijetuarit e masakrës kujtojnë tmerrin që kanë përjetuar dhe presin drejtësinë që të veprojë. Masakra që ringjalli përpjekjet e diplomacisë ndërkombëtare për t’i dhënë fund katastrofës humanitare në Kosovë, nga historianët shihet si pikë kthese në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Bilall Avdiu hedh hapat ngadalë në borë, dhe ndalet e merr frymë thellë. Dy dekada më parë ishte një ditë e ngjashme, e ftohtë kur vdekja erdhi në Reçak.
Buzët i dridhen teksa përpiqet të ndërtojë rrëfimin për ditën kur forcat serbe hynë në fshat dhe vranë 45 banorë.
Është pikërisht para vendit ku ai, dy dekada më parë u nxor nga një ahur bagëtish bashkë me 30 fqinj të tjerë për ta parë vdekjen me sy.
Vdekje e cila e braktisi në rrethana të pabesueshme.
Ahuri prej nga ai e kishte bërë rrugëtimin drejt vdekjes nuk ekziston më, por era e rëndë brenda tij dhe muret e ftohta janë ende në kujtimet e plakut 72 vjeçar.
“Unë dhe disa shumica e fqinjëve ishim mbledhur këtu. Ishim mbi 30 burra. Na nxorën në oborr, na shtrinë në tokë dhe filluan të na godasin. I dëgjuam tek flisnin në radiolidhje duke thënë: Ku t’i vrasim këto apo në kodër?”, rrëfen Bilalli për KALLXO.com pasditen e 15 janarit në Reçak.
Policia i kishte urdhëruar ata të ngjiteshin në kodër ku ishte planifikuar ekzekutimi. Një skuadër e vdekjes po i priste atje.
“Kur shkuam atje policia që priste thanë “Mirë se erdhët terroristë”, tregon Bilall Avdiu.
Por të gjithë ata që ishin grumbulluar për pushkatim ishin civilë, të paarmatosur dhe të ngrirë nga i ftohti.
“Ka qenë ftohtë sikur sot, veç borë ka pasë ma pak”, kujton ai.
Të gjitha viktimat ishin civile, pavarësisht insistimit të policisë serbe se shumica e “terroristëve” mbanin uniforma të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Bilalli rrëfen se kur breshëritë filluan ai kishte rënë përtokë pa e kuptuar nëse e kishin goditur plumbat apo u rrëzua pavetëjdishëm derisa shihte trupat tek binin mbi njëri-tjetrin në hapsirën e ngushtë midis të shpateve të malit.
“Unë rrija shtrirë, me ftyrë nga toka duke pritur të vritem. Dikur krismat pushuan. Por unë vazhdoja të qëndrojë palëvizur. Më dukej që isha ngrirë. Dikur u ngrita. Nuk pashë asgjë, pastaj eca zvarrë dhe hyra në mal”, kujton ai.
Derisa nata po afrohej mbi Reçak ai kishte vërejtur një plak dhe kishte thirrur të afrohej.
“Derisa ai po vinte desha ta ndez një cigare. Por kutia ishte prishur nga plumbat në xhep dhe xhepat ishin bërë shoshë”.
Asnjë nga plumbat nuk e kishte prekur në trup.
Pastaj ishte ngjitur sërish në kodër të shohë mos dikush ka shpëtuar.
“Shkova duke i prekur një nga një trupat deri diku kah gjysma e grumbullit. Asnjëri nuk ishte gjallë. Pastaj më kishte rënë të fikët derisa një fqinj kishte ardhur dhe më kishte prekur”, thotë ai.
Bilall Avdiu thotë se së bashku me tre fqinjë të tjerë kishin qëndruar në mal natën midis 15 dhe 16 janarit, jo shumë larg trupave të vrarë.
Walker, shpëtimtari
Të nesërmen rreth orës 10 fshatarët që kishin mbetur aty po dëgjonin zëra duke thënë se forcat serbe janë larguar dhe “të huajt kanë ardhur në fshat”, duke iu referuar Misionit Verifikues të OSBE-së që në atë kohë udhëhiqej nga amerikani William Walker.
“Kishte ardhur Walker me ekipin e tij dhe mediat. Ai më pa në sy dhe më tha: Shko në shtëpi”, rrëfen ai.
Pak minuta më vonë mbërriti një helikopter i forcave serbe duke mbikëqyrur kufomat.
“Walker na tha se ata mund t’i marrin trupat por ne tashmë i kemi filmuar”, tregon Bilalli.
Diplomati amerikan i cili sapo i kishte parë pasojat e atij sulmi, e kishte quajtur atë si “krim kundër njerëzimit”, ende ruan një “figurë babai” për banorët e fshatit dhe Bilall Avdiu nuk fsheh asnjë pikë admirimi kur flet për këtë.
Kryetari i fshatit, Adem Ramadani, e sheh Walkerin në një horizont më të gjerë.
“Reçaku sot e 20 vjet e shpresoj se do të shkojnë edhe me mijëra vjet që William Walkerin e shohin si një shpëtimtar. Jo shpëtimtar vetëm të Reçakut, por si shpëtimtar të gjithë popullit shqiptar në Kosovë”, thotë Ramadani.
Mbi të gjitha, Ramadani e vlerëson vendosmërinë e Walkerit për ta ruajtur të vërtetën e asaj që ndodhi, përkundër presioneve nga Serbia.
“Serbia do ta kishte blerë dhe paguar fjalën e tij, dhe me siguri Kosova do të kishte edhe shumë masakra tjera të cilat nuk do të kishin pasur jehonë të madhe për botën”, thotë ai.
Vetë Walker kujton përpjekjet e regjimit të Milosheviqit për t’i manipuluar dëshmitë menjëherë pas masakrës.
I kishte shkuar në mëngjesin e 16 janarit në Reçak dhe kishte incizuar tërë situatën, përfshirë edhe kufomat e shtrira në rrugën e ngushë malore mes shkurreve.
“Mbërrita aty vetëm disa orë pasi kishte ndodhur masakra. Pashë në mesin e asaj dite të acartë dimri trupat dhe atë që kishte ndodhur ndaj atyre burrave dhe djemve. Qeveria e Beogradit doli që ditën e parë me versione të ndryshme që i përshtaste me atë që mësonte bota për atë ngjarje dhe vazhdimisht ka ndryshuar opionionin e saj”, thotë Walker në një intervistë të tri ditëve më parë për “Zërin e Amerikës”.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian reaguan me zemërim ndaj masakrës së 45 shqiptarëve. Presidenti Bill Clinton kishte thënë se “ky ishte një akt i qëllimshëm për të mbjellë frikë në mesin e popullit të Kosovës”.
Ndërsa Ministri i atëhershëm i Jashtëm i Gjermanisë, Joshka Fischer, duke folur në emër të BE, deklaroi se “ata që janë përgjegjës për këtë akt duhet ta dinë se bashkësia ndërkombëtare nuk është e gatshme të pranojë vrasjen brutale të civilëve”.
Në vitin 2002, Bilalli udhëtoi për në Hagë për të dëshmuar në gjykimin kundër ish liderit jugosllav Sllobodan Millosheviq. Por ai mbeti shumë i dëshpëruar me drejtësinë. “I thashë Milosheviqit se 45 njerëz u vranë me urdhrin tënd”.
20 vjet pas Bilalli vuan ende traumat e tmerrit që kishte përjetuar.
“Për Reçakun nuk pati kurrë drejtësi askush nuk u dënua. E tash po fillon punën edhe gjykatë për Kosovën”, thotë ai.
Masakra e Reçakut ka qenë edhe një nga pikat e akuzës së Tribunalit të Hagës ndaj Vlastimir Gjorgjeviq, kolonel i përgjithshëm i pensionuar serb, ish- ndihmës ministër i Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe kreu i Departamentit të Sigurisë Publike. Ai qe dënuar me 27 vjet burgim.
Prokurorja Speciale e Kosovës, Drita Hajdari, thotë se edhe Prokuroria Speciale është duke e hetuar këtë masakër.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke hetuar edhe për rolin e personave të tjerë në këtë masakër”, tha ajo për KALLXO.com.
Banorët si Bilalli në Reçak thotë se masakra në këtë fshat dhe Walker u bënë pikë kthese që NATO të intervenonte në Kosovë dy muaj më vonë.
Por para se të vijnë aeroplanët luftarakë të NATO-s, ekipet negociatore të Kosovës dhe Serbisë u desh të mbylleshin me javë të tëra në kështjellën mesjetare të Rambujesë në Francë në përpjekje për ta gjetur një zgjidhje politike për krizën politike dhe katastrofën humanitare që po i kanosej vendit.
Një dokument-marrëveshje e diktuar nga bashkësia ndërkombëtare e mori mbështetjen e palës kosovare, përkundër hezitimeve dhe kundërshtimeve të shumta.
Bujar Dugolli, profesor i Historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe pjesëmarrës në konferencën e Rambujesë, thotë se atëbotë përshkallëzimi i konfliktit po rritej në Kosovë përderisa forcat serbe filluan ofensivë policore e ushtarake me qëllim “futjen e frikës dhe tmerrit te popullsia civile” që ata të braktisnin sa më shumë shtëpitë e tyre dhe të largoheshin nga Kosova.
“Kjo ishte një politikë e kahershme serbe që u aplikua në Kosovë shumë herë gjatë historisë që kishte për qëllim spastrimin etnik dhe ndryshimin e strukturës etnike në Kosovë. Për dallim që masakrat tjera mbetën në harresën e historisë masakra që u bë ndaj civilëve shqiptarë në fshatin Reçak u evidentua nga misioni ndërkombëtar i OSBE-së i kryesuar nga ambasadori amerikan William Walker, i cili nuk hezitoi t’i jepte epitetin që e kishte kjo masakër, krim kundër njerëzimit”, thotë Dugolli për KALLXO.com.
“Rasti i Reçakut dhe krimet tjera që ndodhnin vazhdimisht gjatë atyre ditëve në Kosovë i dhanë shtytje procesit diplomatik ndërkombëtar në kërkim të ndalimit të konfliktit dhe zgjidhjes së çështjes së Kosovës”, shton ai.
Krimi i pandëshkuar
Bujar Dugolli thotë se “pa drejtësi të mirëfilltë, nuk ka as paqe të qëndrueshme”.
Sipas tij, dy misionet e deritanishme ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK dhe EULEX, por as institucionet kosovaretë drejtësisë “nuk bënë sa duhet për zbardhjen dhe vendosjen para drejtësisë së kriminelëve që shkaktuan masakrën e Reçakut dhe krimet tjera në Kosovë”.
“Duke e ditur se edhe në aspektin e të drejtës krimi nuk plaket, është shumë me rëndësi të mos hiqet dorë që përgjegjësit për këtë masakër e masakrat e tjera në Kosovë të dalin para drejtësisë”, thotë ai.
Institucionet e drejtësisë në Kosovë, thotë ai, e kanë obligim që të evidentojnë provat, t’i intervistojnë dëshmitarët e gjallë, dhe mbi provat e tilla të kërkohet që kriminelët të dënohen për krimet e bëra.
“Kjo do të jetë një satisfaksion për familjet dhe mesazh i qartë për të gjithë ata që mendojnë se drejtësia nuk vepron”, thotë Dugolli.
Besim Jakupi nga Reçaku, që kohën e masakrës ishte 12 vjeç, thotë se ende jeton me përjetimin kur parë trupat e vrarë dhe të gjymtuar në kodër të grumbulluar në baltë. “Ishte një skenë e tmerrshme”, thotë ai.
Në mesin e trupave të vrarë, gjendej edhe një i afërm i tij.
Disa prej të viktimave tjera u gjetën me sytë e të nxjerrë ose kokat të shtypura në oborrin e shtëpisë , përfshi edhe një grua të re dhe një djalë 12-vjeçar. Por shumë prej tyre ishin të moshuar. Më i vjetri nga ta ishte 77 vjeç.
Adem Ramadani, kryetar i fshatit Reçak, thotë se çdo janar e kthen fshatin në kujtimet e rënda të asaj dite të vitit 1999.
“Kjo dhembje do të jetë me ne së paku deri sa të ndërrohen gjeneratat të cilat janë direkt të lidhura me humbjen e familjarëve të tyre”, thotë ai.
“Këtu secili ka humbur ndonjë familjar e të afërm. Kjo është gjenerata e cila do ta përjetojë ende këtë ngjarje”, shton Ramadani.
Shkurret e kanë mbuluar vendin e ekzekutimit dhe Bilallin mezi e mbajnë këmbët teksa përshkon një pjesë të asaj rruge sërish.
Është rrugë të cilën ai e merr shpesh, saherë që ka nevojë ta shohë në sy fatin e keq të bashkëfshatarëve.
Besim Jakupi, i cili merret me mjeshtrinë e ndërtimtarisë, në ditët e dimrit, kur memoriali i Reçakut mbulohet nga bora e akulli, merr lopatën në dorë për ta larguar borën nga shkallët e rrëshqitshme që dërgojnë te 45 piramidat e varreve, sipër të cilave qëndrojnë të varur dy flamuj gjigantë kombëtarë shqiptarë.
Anash varrezave, një shtatore e William Walker i bën roje fshatit.
Diplomati amerikan është skalitur në bronx me shikimin kah fshati dhe gishtin tregues që bën me shenjë në tokën e Reçakut.
“Rendi është që të jetë edhe një flamur i Kosovës këtu”, thotë Jakupi.
Por, një flamur më shumë apo më pak, megjithatë, nuk çon peshë fort në vëmendjen e tij.
Jakupin e preokupon fakti që fshatin të cilin 20 vjet më parë e vizitoi vdekja, drejtësia e ka lënë anash.
“Duhet të ketë drejtësi për krimet kundër njerëzimit që kanë ndodhur në Kosovë. Deri më tani nuk e pamë”, thotë ai.
COMMENTS