Dy partitë opozitare nga legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës, në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, shënuan fitore në raport me partitë që ishin në pushtet. Bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, është subjekti politik që duhet t’i iniciojë bisedimet për formimin e qeverisë së ardhshme.
Nga 98 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar rreth 26 për qind, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar rreth 25 për qind të votave, njofton Ulpianapress.
Në vendin e tretë renditet PDK-ja me rreth 22 për qind, kurse në vendin e katërt është AAK-ja me rreth 12 për qind.
Nisma aktualisht nuk e kalon pragun prej 5 për qind, pasi ka 4.89 për qind.
Tashmë kur rezultatet janë afër zyrtarizimit edhe nga KQZ-ja, me interesim priten votat që kanë marrë kandidatët për deputet.
Siç qëndrojnë punët, VV-ja me këtë rezultat pritet t’i ketë 31 deputetë, LDK-ja 30, PDK-ja 25 dhe AAK 15.
Media merr vesh se në listën LDK-së,kadidati më i votuar nga radhët e kësaj partie nga Lipjani deri tani është Shkelzen Hajdini, mirëpo menjëherë pas tij renditet Vlora Limani-Hajnuni si dhe Ilir Tasholli.
Burimet tona thonë se Hajdini ka grumbulluar 6 mijë vota, Vlora Limani- Hanuni 5 mijë e 983, kurse Ilir Tasholli ka 5 mijë e 782 vota.
Të gjitha votat janë vetëm nga Lipjani, kurse në tërësi numri i votave të kandidatëve për deputet pritet te rritet./Ulpianapress/
COMMENTS