Vetëm gjatë këtij viti, nëpër qytetin e Romës janë hapur rreth 44 gropa erozioni. Asfaltet e kryeqytetit italian bëhen me nga një gropë të re çdo dy-tri ditë. Normalisht kanë përmasat e një dhome, pak metra të gjera e pak metra të thella. Por në shkurt të këtij viti këto gropa thithën gjashtë makina në kanalet e nëndheshme të tokës, pasi zhdukën 50 metra nga rruga Livio Androniko, duke bërë të evakuohen disa ndërtesa.
Kjo nuk është dukuri e re. Që nga viti 2010 Roma ka pasur nga 90 gropa të tilla në vit. Në vitin 2013 ndodhën 104. Viti 2018 duket se do ta kalojë atë rekord. Është e qartë që problemi po përshkallëzohet: rrugët po nisin të duken si djathë me vrima “Emental”, ndërkohë që çdo njeri në Itali po pyet veten se pse toka, siç thotë dhe profeti hebre Isai, “po lëkundet si burrë i dehur”.
(Shtyp mbi pamjen e mëposhtme dhe shikoje ⤵)
Disa ia vënë fajin shiut. Banorët e Romës janë mësuar të mbajnë syza dielli gjatë gjithë vitit, por shirat e gjashtë muajve të fundit kanë qenë më të shpeshtit në histori. Shumë prej tyre janë quajtur melodramatikisht “bomba uji”. Në shtator të vitit që kaloi u mbyllën metrotë e përmbytura, pasi nëpër shkallët lëvizëse rridhnin lumenj, ndërsa stacionet u bënë si dhoma dushi prej ujit që rridhte nga tavanet e plasaritura. Me mijëra makina u zhytën në ujë deri te pasqyrat.
Në nëntor – dhe kjo ishte shenja më serioze që gjërat ishin përkeqësuar – u shty ndeshja e Lacios kundër Udinezes për shkak të shirave të rrëmbyeshëm. Para një jave pati përmbytje të reja në metro. Muajin e shkuar Italia ka pasur reshje 141% më të larta se normalisht.
Shiu është problem për shkak të gjeologjisë së qytetit. Shumica e Romës është ndërtuar mbi shtresa të buta toke, si fushat lymore të lumit Tibet. Kjo do të thotë që uji largon depozitat e vogla që i japin tokës qëndrueshmëri. Toka e butë shton jo vetëm dridhjen nga tërmetet (prandaj dhe Koloseut i mungon ana jugore), por edhe dridhjet që vijnë nga trafiku i qytetit, duke shkaktuar atë që presidenti i shoqatës së gjeologëve të Lacios e quan “lëngëzim i tokës”. Është si të tundësh një sitë me ujë dhe argjilë poshtë asfaltit. Shumë shpejt uji do të largohet e do të mbetet një masë e lagësht, si xhelatinë, që duhet të mbajë gjithë trafikun përsipër.
Uji i shtuar nuk vjen nga reshjet, por nga infrastruktura e plasaritur nëntokësore. Ujësjellësit e lashtë, si “Vergine”, që furnizon shatërvanin “Trevi”, vazhdojnë të përdoren edhe sot. Për shkak të rrjedhjeve, 50% e ujit që vjen nga liqenet e Lacios e deri te çezmat e banorëve të Romës, humbet gjatë rrugës. Shumë prej kanalizimeve të qytetit janë aq të lashta, sa janë ende me tulla dhe tjegulla të plasaritura. Veç tyre, poshtë qytetit janë rreth 30 kilometra katrorë tunele, kavitete, katakomba e gurore, të cilat nuk e ndihmojnë aspak situatën.
Këshilli bashkiak e ka përkeqësuar situatën në mënyra të shumta: është gjithnjë i korruptuar dhe shpesh i paaftë. Këtë vit nuk blenë dot as një bredh të gjelbër për Krishtlindje. Procesi i tenderimeve për riparimin dhe rindërtimin e rrugëve zvarritet me vite, sepse burokracia në Romë është e rrëmujshme. Kur më në fund jepet një kontratë, kompanitë i shtrojnë rrugët keq ngaqë përpiqen të kursejnë, ose sepse duan të vazhdojnë të kenë punë. Ndërkohë, bashkisë i vijnë 4000 kërkesa dëmshpërblimesh në vit nga Sigurimet, kryesisht për dëmtime makinash e thyerje kockash, të shkaktuara nga punimet.
Banorët e Romës i marrin këto telashe me humorin karakteristik. Thonë me të qeshur se Honda ka hapur në Romë një qendër për testime suspensionesh, ngaqë qyteti ka rrugët më të këqija në botë. Bredhin bojëkaf të Krishtlindjeve e quajtën “zgjebarak” dhe një karikaturë e botuar javën e shkuar thoshte se gropat e përhapura nëpër qytet mund ta ndalojnë Mesin e shokët e tij që të mos vizitojnë ekipin e Barcelonës (pra, Roma fiton, gjithsesi).
Por gropat nëntokësore shërbejnë si kujtesë serioze që moti ekstrem, kur përzihet me paaftësi procedurale, mund të ketë pasoja fatale. Para një muaji, kryetarja e bashkisë së Xhenovas, Marta Vinçenci, u dënua me pesë vite burg sepse nuk mori dot masa sigurie gjatë përmbytjeve të vitit 2011, kur humbën jetën katër gra dhe dy fëmijë. Në Janar të vitit 2017 vdiqën 29 veta, pasi reshjet e dëborës dhe tërmetet krijuan ortekun që shkatërroi një hotel në Rigopiano, Abruco. Paralajmërimet ishin shpërfillur prej kohësh dhe përpjekjet për shpëtim ishin aq të ngadalta, sa një prej viktimave dukej se kishte mbijetuar për 40 orë nën dëborë para se të vdiste.
Ndoshta nuk është e drejtë të fajësohet stafi i emergjencës apo politikanët për ato vdekje. Një shprehje ironike italiane përqesh vesin e banorëve për të fajësuar politikanët për gjithçka: “Bie shi: qeveri hajdute!” Nga këto krateret e krijuara në Romë kuptohet qartë se ngjarjet që dikur dukeshin të jashtëzakonshme tani janë bërë diçka normale. Livorno pati 256 mm reshje shiu brenda një nate në vitin 2017, që ishte më shumë se ç’kishte rënë gjithsej për tetë muaj rresht. Përmbytjet që pasuan lanë tetë të vdekur. Në Mesina vdiqën 37 persona në vitin 2009; 13 vdiqën në Liguria gjatë dy viteve që pasuan; 18 në Sardenjë, në vitin 2013.
Pas shumë tërmeteve që kanë rënë në Le Marche gjatë këtij muaji, të krijohet ndjesia se shtresat e nëndheshme në Itali nuk janë më të forta. Jo vetëm për shkak të tërmeteve (tërmetet kanë marrë 669 jetë në 10 vitet e fundit). Ka të bëjë edhe me topografinë: malet e pjerrëta e të dallgëzuara, ashtu si asfaltet e Romës, shpesh i jepen forcës së rëndesës dhe marrin me vete rrugë e shtëpi. Në një kohë kur moti sa vjen e bëhet më ekstrem, pak gjasa ka që toka ta marrë veten tani shpejt.
Tobias Jones, The Guardian
COMMENTS