Hysri Peqani, i njohur në opinion si “Burdushi”, ka dalë sot para Gjykatës së Prizrenit për t’u përballur me akuzën për veprën penale – mashtrim.
Në seancën e sotme, i akuzuari u është përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të tij, avokatit Skender Morina, dhe të prokurorit të shtetit.
Gjatë deklarimit të tij lidhur me akuzat e Prokurorisë së Prizrenit, Hysri Peqani tha se që nga mosha 13 vjeçare, pra afër 36 vite, e ushtron profesionin e “mjekut”, ndërsa në Prizren ka rreth 26 vite.
“Jam i licencuar sipas ligjit për veprimtarinë të mjekësisë sociale, dhe një tjetër që quhet si shërbim për këshillëdhënie. Që nga viti 2005 i paguaj obligimet tatimore ndaj shtetit”, tha i pandehuri.
Rreth pacientëve të tij, “Burdushi” tha se të gjithë shkojnë me dëshirën e tyre tek ai, “ndërsa i dëmtuari në këtë proces gjyqësor asnjëherë nuk m’i ka dhënë shumën prej 2.000 euro”.
Ndërsa në pyetjen e avokatit se a ka ndodhur që dikush tjetër të ankohet për punën e tij, Hysri Peqani tha se “sipas statistikave dhe librave që i kam regjistruar që nga viti 1994, sigurisht që del shuma e numrit të njerëzve rreth 5 milionë njerëz deri më tani, ndërsa rasti i parë i ankesës ka ndodhur në vitin 2013-2014, pasi që kam pasë shumë emisione dhe debate, dhe grupet islamike- xhihadiste janë munduar që çdoherë të më mposhtin dhe të ma humbin imazhin e punës”.
Prokurori i shtetit pyetje e tij i drejtoi lidhur me aktivitetin dhe lidhur me atë se a posedon licencë adekuate për ushtrimin e funksionit dhe aktivitetit të tij.
Saktësisht pyetjet e prokurorit të shtetit ishin nëse i akuzuari posedon ndonjë titull shkencor apo akademik për punën që e bën dhe se a ka aplikuar pranë institucioneve relevante ndonjëherë për t’u pajisur me licencë për punën që e ushtron.
Prokurori, po ashtu, e pyeti “Burdushin” edhe lidhur me palën e dëmtuar në këtë proces gjyqësor.
“Mjekësia alternative në Kosovë nuk ekziston, dhe se që nga viti 2005 deri në vitin 2010 në Ministrinë e Shëndetësisë, në arkivat e Ministrisë janë letrat, ku kam bërë kërkesa të rregullta dhe i kam dorëzuar video-incizime me falënderime nga ata që janë shëruar”, u përgjigj i akuzuari.
Më tutje, Hysri Peqani foli për numrin e pacientëve.
“Për sa i përket numrit të pacientëve, kur është kohë sezone apo kur paraqitem në ndonjë emision, tek unë numri i pacientëve arrin 50-200 pacientë ditorë. Sipas besimit dhe punës që e bëj, njerëzit vijnë me vullnet të lirë, nga të gjitha kategoritë e njerëzve dhe të të gjitha feve dhe asnjëri prej tyre nuk është ankuar”, shtoi i akuzuari për mashtrim.
Gjyqtari i rastit, Mehmet Ndrecaj, caktoi datën 19 nëntor për dhënin e fjalës përfundimtare.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, “Burdushi” akuzohet se nga data 20.06.2014 deri me 12.08.2014 në Prizren, duke i fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, ose për t`i shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e të dëmtuarit.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, në këtë proces i akuzuari “Burdushi ” si mjek popullor, merret vesh me tashmë të dëmtuarin që t`ia shërojë një anëtar të familjes që vuante nga depresioni.
Sipas aktakuzës, marrëveshja ishte që ‘Burdushi” ta shëronte anëtarin e tashmë të dëmtuarit sipas Prokurorisë në kompensim të një shume prej 2 mijë euro, por që pas kalimit të një kohe pacienti nuk ka shfaqur shenja shërimi. Dhe si rrjedhojë këtu i akuzuari ”Burdushi”, të dëmtuarin e vë në lajthitje dhe mashtrim, duke i shkaktuar dëm material, theksohet në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.
Me këtë sipas aktakuzës i njëjti ka kryer veprën penale të mashtrimit.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, për veprën penale të mashtrimit sikurse në aktakuzë, nëse gjatë gjykimit vërtetohen faktet se i njëjti ka kryer veprën penale si në aktakuzë, Kodi penal parasheh dënim me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.
COMMENTS