Sëmundja e tuberkulozit vit pas viti vazhdon të shënojë rritje në Komunën e Lipjanit. Krahasuar me vitin 2021, kur ishin 20 raste, vetëm deri në muajin gusht këtë vit janë regjistruar 25 raste. Mjekët bëjnë thirrje për higjienë, ushqim të shëndetshëm dhe shmangie të kontakteve me personat e sëmurë.
Gjatë muajve të fundit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan është shënuar rritje e rasteve të të infektuarve me tuberkuloz.
Gjatë kësaj periudhe të vitit janë shënuar gjithsej 22 raste të reja aktive me këtë sëmundjen, të cilat po trajtohen në shtëpitë e tyre, disa prej tyre janë të izoluar.
Në QKMF, po ashtu, kanë treguar se gjatë muajit të kaluar janë shënuar dhjetëra kërkesa të tjera për zbulim të sëmundjes.
Izer Sinani, koordinator i QKMF-së, njëherësh specialist i mjekësisë familjare, ka bërë thirrje për higjienë, ushqim të shëndetshëm dhe shmangie të kontakteve me personat e sëmurë.
“ Krahasuar me vitin e kaluar, rastet me tuberkuloz në Komunën e Lipjanit nga muaji janar deri në muajin shtator të vitit 2021 i kemi pasur rreth 20 raste, ndërkohë tani gjatë këtij viti 2022 nga muaji janar e deri në muajin shtator i kemi rreth 25 raste. Mirëpo kemi edhe raste të tjera që kanë kërkuar ndihmë dhe i kemi dërguar për analiza dhe rëntgen, jemi në konsultim edhe me pulmologun derisa ata t’i shpallin rastet e reja me tuberkuloz dhe të vazhdojnë terapinë me tuberkuloz”, ka thënë Sinani.
Sipas mjekut Sinani, sëmundja e tuberkulozit më së shumti shpërndahet nga ajri e në kontakt të drejtpërdrejtë.
Ka treguar se në shumicën e rasteve shpërndahet tek anëtarët e familjes.
E pacientët e prekur nga kjo sëmundje kanë treguar se si u infektuan.
“Ne punojmë me transport të udhëtarëve dhe besoj se prej udhëtarëve e kam marrë sëmundjen gjatë rrugës, sepse punoj si shofer i autobusit dhe besoj se në bazë të kontakteve me njerëz që kemi shumë”, ka thënë njëri pacient.
“Nuk ka shumë kohë që jam me këtë sëmundje, por mirë jam tash me ndihmën e doktorit dhe stafit këtu ne Lipjan dhe trajtimi i tyre shumë i mirë. Kam ardhur në vizitë te doktor Izeri dhe ky e ka zbuluar dhe kemi filluar me terapi , gjithçka po shkon mirë”, ka thënë një pacient tjetër.
Sinani ka thënë se ndër simptomat më të shpeshta të tuberkulozit tek pacientët janë: lodhja, kollitje me këlbaz ose kollitje e thatë të shoqëruara me dhimbje të gjoksit, humbje të oreksit etj.
Koha.net
COMMENTS