Nuk ka presione të jashtme ndaj Rumanisë që të njohë pavarësinë e Kosovës.
Kështu ka deklaruar ambasadorja rumune në Serbi, Oana Cristina Popa, në një bisedë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, duke shtuar se qëndrimi i shtetit të saj ndaj pavarësisë së Kosovës është i bazuar në parime dhe në të drejtën ndërkombëtare.
“Kjo qasje është e njohur dhe e respektuar si e tillë në planin ndërkombëtar dhe nuk ekziston ndonjë presion i jashtëm që kjo të ndryshojë”, tha Popa, transmeton Koha.net.
Sipas ambasadores rumune, dialogu Kosovë-Serbi është i vetmi instrument për zbatimin e procesit të normalizimit dhe gjetjes së një zgjidhjeje që do t’i kënaqte interesat e të dyja palëve qëllimi i së cilës është stabiliteti afatgjatë i të gjithë rajonit dhe perspektiva evropiane.
“Rumania mbështet një zgjidhje gjithëpërfshirëse të cilën do ta pranojnë të dyja palët dhe që do të forconte stabilitetin rajonal, do të ishte jetëgjatë, do të promovonte vlerat evropiane të shoqërisë multi-kulturore dhe që rëndësia e mbrojtjes së të drejtave të pakicave kombëtare të jetë e njohur në vetvete dhe të ketë mbështetje rajonale dhe mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare”, tha Popa.
COMMENTS