Në muajin nëntor të vitit të kaluar, në qytetin e Lipjanit tërhiqte vëmendje një veturë luksoze e tipit Mercedes. Ishte një veturë që ishte në pronësi dhe vozitej nga Sabit Pacolli, ish-kryetari i degës së Aleancës Kosova e Re (AKR) në Komunën e Lipjanit.
Pacolli ishte fotografuar me veturën luksoze, teksa vet kishte deklaruar se ishte kthyer në Kosovës, “për t’i ndihmuar të varfrit.”
Rreth një vit më vonë, Sabit Pacolli, i cili vepronte si sipërmarrës në Suedi, u bë objekt i akuzave të publikuara ndaj nga gazeta suedeze “Sydsvenskan”.
Sipas artikullit hulumtues të gazetës, Sabit Pacolli si Kryetari i Shoqatës së Strehimit në Malmo po dyshohet se një pjesë e parave të dhëna nga shteti suedez për strehimoret i përvetësoi, raporton Insajderi.
“Sydsvenskan” ka shkruar një artikull me titull “Shoqata HSB është grabitur – kryetari ka ndërtuar fabrikë dhe vilë luksoze në Kosovë”.
Ai, muajin e kaluar kishte mohuar akuzat e gazetës suedeze “Sydsvenskan” se ka vjedhur mbi 200.000 euro nga kompania e bamirësisë HSB, ku vet është kryetar.
Por, Pacolli u arrestua të enjtën me urdhër të Gjykatës së Qarkut të Malmos, derisa po shkonte në një takim në Agjencinë Suedeze të Tatimit.
“Desha të sigurohem që hetimi ynë preliminar të përfundojë para hetimit të Agjencisë Suedeze të Tatimit”, ka thënë prokurori Bo Birgerson. Në orën 11:00 të së dielës ka nisur seanca dëgjimore. Një orë e gjysmë më vonë, Gjykata e Qarkut lëshoi urdhrin e arrestit.
Sipas Birgerson, arrestimi i tij erdhi si pasojë e dyshimeve të besueshme për keqpërdorim të parave.
Edhe gjykata e qarkut dha vlerësim të njëjtë: ekzistonte rreziku se Pacolli do të shkatërronte hetimin nëse do të lirohej dhe ekzistonte rreziku se ai do të ikte me aeroplan.
COMMENTS