Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi reagoi në lidhje me shkarkimin nga detyra të kreut të Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj.
Sipas saj kjo është është një përpjekje për të mbyllur përfundimisht çështjen Tahiri, që po mban peng jo vetëm Edi Ramën, por të gjithë qeverinë.
Kryemadhi shprehet se Edi Rama duhet ta ketë të qartë që asnjë presion apo largim i paligjshëm nuk e shpëton atë dhe bashkëpunëtorë e tij nga dosjet e krimit dhe korrupsionit.
Postimi i plotë
Shkarkimi i paligjshëm i Kryeprokurorit të Krimeve të Rënda është rasti me flagrant i Edi Ramës dhe veglës së tij në Prokurorinë e Përgjithshme!
Besim Hajdarmataj ishte prokurori që nisi të hetojë për çështjen Tahiri, kërkoi dhe argumentoi ndalimin e tij me akuza të qarta dhe të bazuara, por që u hodhën poshtë nga deputetët e PS.
Largimi i tij nga detyra është qartas përpjekje për të mbyllur përfundimisht çështjen Tahiri, e cila mban peng jo vetëm Edi Ramën, por të gjithë qeverinë.
Emërimi dhe shkarkimi i drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda nuk është kompetencë e Arta Markut!
Por kjo nuk e ka penguar atë dhe shefat e saj në qeveri të ndërmarrin këtë veprim të paligjshëm, në kohën kur të gjithë prisnin që çështja Tahiri të shkonte deri në fund.
Edi Rama, i frikësuari i madh i drejtësisë bërtet lart e poshtë për Vettingun ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, por ndërkohë largon nga detyra Kryeprokurorin e Krimeve të Rënda pa pritur që ai të vetohet.
Ky akt i paprecedent rëndon mbi Prokuroren e Përgjithshme, e cila vetë nuk ka kaluar në procesin e Vettingut, rëndon mbi të gjithë ata që paturpësisht vijojnë të shkërmoqin dosjet e krimit dhe korrupsionit.
Edi Rama duhet ta ketë të qartë që asnjë presion apo largim i paligjshëm nuk e shpëton atë dhe bashkëpunëtorë e tij nga dosjet e krimit dhe korrupsionit. Për ato dosje ai dhe bashkëpunëtorët e tij do të përgjigjen para drejtësisë një më një!
LSI paralajmëron qartas Prokuroren e Përgjithshme dhe të gjithë strukturat përgjegjëse; Të mos guxojnë të hedhin hapa për të fshehur gjurmët e krimit!
Çdo akt i tillë i paligjshëm, që nga ekstradimi i Naser Seitajt dhe deri te ky i sotmi, është përgjegjësi e pastër penale e atyre që kanë firmosur urdhrat e kryeministrit.
COMMENTS