Autoriteti Rregullator për Shërbime të Ujit në fund të dhjetorit 2017 ka lëshuar urdhëresë për rritje të tarifës së ujit në shtatë kompani rajonale të ujësjellësit për vitet 2018 – 2020.
Kjo urdhëresë ka hyrë në fuqi nga janari i vitit 2018.
Në KRU “Prishtina” në Prishtinë tarifa e ujit është rritur për 3 centë. Ndërsa, për kompanitë tjera “Hidroregjioni Jugor” në Prizren, “Hidrodrini” në Pejë, “Mitrovica” në Mitrovicë, “Gjakova” në Gjakovë, “Bifurkacioni” në Ferizaj, “Hidromorava” në Gjilan tarifa është rritur për 1 cent.
Sa i përket tarifës fikse për shërbime shtëpiake, nuk ka pasur rritje e as zvogëlim dhe tarifa ka mbetur 1 euro. Kurse, për shërbime joshtëpiake (biznese, institucione) tarifa fikse ka zbritur nga 3 euro në 2 euro.
Lule Aliu, zyrtare për informim nga Autoriteti Rregullator për Shërbime të Ujit e ka konfirmuar për KALLXO.com, këtë rritje të tarifave.
Aliu, ka thënë se pasi i kanë marrë për bazë kërkesat e kompanive dhe pas diskutimeve publike, është vendosur për caktimin e këtyre tarifave.
Arsyeja që ka ndikuar në rritjen e çmimit për 3 centë në KRU “Prishtina”, krahasuar me komunat e tjera që kanë 1 cent rritje, sipas Aliut, është rritja e prodhimit të ujit, ndërtimi i fabrikës së ujit në Shakabaj dhe kredia.
“Për të siguruar furnizim 24 orë me ujë KRU ‘Prishtina’ ka ndërtuar fabrikën për përpunim të ujit. Duke marrë parasysh se fabrika e ujit në Shkabaj e ndërtuar nga KRU ‘Prishtina’ përveç donacioneve një pjesë e madhe është financuar nga kredia rreth 22 milionë euro, rrjedhimisht ndikon në rritjen e tarifave të ujit për konsumatorët shtëpiakë në regjionin e Prishtinës”, ka thënë ajo.
Kurse, sa u përket tarifave fikse, sipas Aliut, me qëllim të vendosjes së drejtësisë në mes të konsumatorëve shtëpiakë dhe atyre joshtëpiakë, tarifa fikse për konsumatorët joshtëpiakë është ulur.
“ARRU njëherësh ka reduktuar tarifat fikse mujore për konsumatorët joshtëpiak- institucione, biznese dhe industri nga 3 euro në 2 euro në muaj, derisa tarifat fikse për konsumatorët shtëpiakë kanë mbetur të njëjta dhe atë në vlerë prej 1 euro në muaj”, tha Aliu.
Sipas saj, vlen të theksohet se për tre vjetët e fundit 2015 – 2017 nuk ka pasur rritje të çmimit.
Në web faqe të ARRU-s, janë publikuar edhe tarifat.
Në Prishtinë çmimi do të jetë 0.42 euro/m3, në Prizren 0.37 euro/m3, Pejë 0.25 euro/m3, Mitrovicë 0.36 euro/m3, Gjakovë 0.37 euro/m3, Ferizaj 0.35 euro/m3, Gjilan 0.34 euro/m3.
Në Prishtinë para shtrenjtimit metra kub e ujit kushtonte 3 centë më pak, përderisa në komunat tjera kjo metër ishte 1 cent më lirë.
COMMENTS