Të papunët vetëm numra

Të papunët vetëm numra

Policia e Kosovës do të kujdeset për sigurinë e Vuçiqit gjatë vizitës në Kosovë

Sipas “fjalorit politik” në Kosovë, të papunët dhe pjesëtarët e familjeve të tyre nuk janë njerëz

Nga shumë lajme të përsëritura është edhe ai që flet për papunësinë në nivelet e larta – herë mbi e herë nën, por gjithmonë me emërues 30-përqindëshin. Të gjitha eksperimentet e bëra ndër vite nuk e kanë ndryshuar gjendjen. As ndërrimi i qeverive e as strategjitë e shpeshta nuk kanë mundur t’ua plotësonin ëndrrën për barazi qytetare një të tretës së popullsisë së aftë për punë.

“Rritja ekonomike më e larta në rajon” që sillet ndërmjet 3 dhe 4 për qind, po ashtu vazhdon të konsumohet si lajm i përsëritur, ani që publikut i është bërë e qartë se pa arritur në të paktën 10 për qind ajo nuk mund të reflektojë në uljen e papunësisë dhe të varfërisë.

Shifrat zyrtare të papunësisë në Kosovë janë të njëjta si atëherë kur buxheti i Kosovës ishte një miliard, si tash që është dyfish më i lartë. Papunësia nuk ka lëvizur vendit as pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, nuk ka lëvizur as nga miratimi i Ligjit për investime strategjike, as nga përmirësimi i klimës për të bërë biznes.

Papunësinë nuk e kanë zbutur as e para, as e dyta autostradë. As hapja e pesë-gjashtë universiteteve publike, e as dyfishimi i të punësuarve në Qeveri. Papunësinë nuk e ka ulur as shitja e tokave bujqësore, e fabrikave dhe e ndërmarrjeve tjera shoqërore. Nuk e ul dot as njëmiliardëshi që vjen çdo vit si infuzion financiar nga diaspora.

Ilaçi nuk është gjetur as tek dhjetëra dokumente të miratuara, punëtori e tryeza të organizuara nga institucione të vendit e të huaja.

S’kanë bërë punë strategjitë, programet e panairet e punësimit. Nuk kanë bërë punë ministritë e lidhura ngushtë me zhvillimin ekonomik, tregtinë e industrinë, bujqësinë dhe mirëqenien sociale, që kanë të punësuar mijëra “ekspertë” të ekonomisë.

Tridhjetëpërqindëshin nuk e zbret më poshtë as mospërfshirja në statistika e mbi 700 mijë vetave që kanë humbur shpresat se një ditë mund të gjejnë punë dhe nuk paraqiten në zyrat e punësimit, as dhjetëra mijëra qytetarë të tjerë që kanë braktisur vendin (norma e përgjithshme e të punësuarve sipas shënimeve zyrtare është diku 300 mijë dhe punëkërkuesve 150 mijë, nga 1.2 milionë persona të aftë për punë).

Për të papunët nuk ekziston asnjë ligj i veçantë, nuk ekziston shoqatë e as sindikatë. Sipas “fjalorit politik” në Kosovë, të papunët dhe pjesëtarët e familjeve të tyre nuk janë njerëz, janë vetëm numra. Drejtësia dhe mirëqenia janë ekskluzivitet i të punësuarve. Ligjet bëhen për të punësuarit, debatet bëhen po për rrogat e të punësuarve. Edhe Sindikata, edhe Qeveria mbrojnë interesat e tyre.

Ka të punësuar që krahas rrogës gjatë vitit gëzon edhe një pushim kolektiv në det, ka të tillë që marrin edhe thëngjill falas për ngrohje, e në disa ndërmarrje edhe rrogën e 13-të. Në pritje të interpretimit të Kushtetutës është edhe kërkesa e Qeverisë për financimin e blerjes së “kravatave” që, sipas drejtuesve të saj, simbolizon udhëheqje dinjitoze. Nëse Kushtetuesja nuk lejon dyfishimin e rrogave për qeveritarët dhe disa sektorë të drejtësisë, kryeministri ka thënë se nuk mund të parandalohet korrupsioni dhe vjedhja kolektive, ashtu si ka ndodhur ta zëmë në Postë-Telekomin e Kosovës. Aty për disa vjet rresht ka ekzistuar një fond ilegal financiar. Në momentin e pensionimit, krahas parave të Trustit, punëtorët e kësaj ndërmarrjeje kanë marrë edhe nga disa mijëra euro shtesë. Vlera e tyre ka mbërritur në disa raste në mbi 20 mijë euro. E është po kjo ndërmarrje që tash ka mungesë parash për paga, lartësia e të cilave arrin deri në afro 3 mijë euro. Shefat e saj kërkojnë që pagat e ndërmarrjes që ka mbipopullim t’ua paguajë Qeveria. Pra që ndërmarrjes ku gjysma janë parazitë, ngjashëm me Qeverinë, duhet dhënë paratë tona, edhe ato të të papunëve.

Të papunëve nuk u duhet as emri, përveç në ditën e votimit, kur u japin pushtet “elitave” që marrin më shumë se një pagë, mbajnë nga disa pozita publike, dhe të afërm të papunë në familje i kanë vetëm fëmijët. Kur me barkun bosh dalin e u buzëqeshin, u duartrokasin atyre që me pagën e shtetit që mendohet se është i përbashkët, jetojnë si sulltanë. Të atyre që rrogën e parë në jetën e tyre e kanë marrë si deputet e ministër, por që menjëherë u ka dhënë shansin të bëjnë pushime në resortet më të shtrenjta të botës, të paguajnë shofer personal… Ku në deklarimin e pasurisë u dalin kursimet dyfish më të mëdha se të ardhurat, e ku shtëpitë dhe tokat e trashëguar në vendet ku nuk shkohet as këmbë, tash kanë vlerën e milionave.

Të papunët nuk janë faktorë, atyre nuk u trembet askush. Pushteti ka frikë vetëm nga soji i vet, që për një apo arsye tjetër ka mbetur pa pushtet dhe është i etur për fuqi politike e ekonomike. Ka frikë edhe nga të punësuarit që flirtojnë herë me njërën e herë me tjetrën parti. Nga mjekët, shumica që punojnë edhe në sektorin publik e edhe në atë privat, dhe që kërcënojnë me grevë nëse nuk u rriten pagat. Nga mësimdhënësit, që janë makineri e madhe votash, që janë ndër më të paguarit në rajon, por që nxjerrin nxënësit më të dobët në botë. Nga gjyqtarët e prokurorët, ndaj të cilëve vijnë kritikat më të ashpra për mungesë profesionalizmi dhe besimi. Atyre që bashkë me policinë, bartin përgjegjësinë kryesore për mospërmbushjen e kriterit të vetëm për liberalizim.

Strukturat që kontrollojnë instrumentet e pushtetit dhe që do të duhej të ndryshonin politikat e zhvillimit ekonomik nuk mund të bëjnë asgjë për të papunët dhe të varfrit – janë vetë të varfër mendërisht.

Nuk janë të aftë të ofrojnë ndihmë konkrete, të ndërmjetësojnë në edukimin e të papunëve dhe që t’u japin drejtim punësimit, vetëpunësimit dhe veprimtarive sipërmarrëse. Ata kanë trashëguar praktikat e shkollës së vjetër, ku sektori publik mbetet prioritet, ku rriten pa kriter pagat, ku mungon llogaridhënia dhe nuk matet performansa. Dhe jo që shkatërrojnë perspektivën e sektorit privat, por ato i konsiderojnë vetëm si burime taksash. Ky “mesazh” prej të padituri, orienton gabimisht të rinjtë. I bind ata se kanë vetëm dy zgjedhje për të gjetur një punë shteti të përhershëm. Ose t’i korruptojnë politikanët ose t’u bëjnë argatin partive politike.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)