Një histori tetëvjeçare e hetimeve dhe gjykimit të Fatmir Limajt për korrupsion, merr fund të premten në shkallën e parë të gjykatës. Limaj, i akuzuar për krim të organizuar, marrje ryshfeti, e vepra tjera të lidhura me korrupsionin është zyrtari më i hetuar në vend. Një listë mesazhesh telefonike mes këshilltarit të Limajt dhe një biznesmeni është konstatuar se është fals.
Dokumenti i është dhënë Limajt nga presidenti, Hashim Thaçi. Limaj, kishte akuzuar se SHIK-u nëpërmjet dhëndërit të familjes së Kadri Veselit, ish-policit Fitim Rexha ia ka montuar mesazhet. Rexha që është djali i prokurorit, Ali Rexha kishte mohuar akuzat. Sidoqoftë, gjykimi më i gjatë për korrupsion ka arritur në fund. Vërdikti shpallet të premten.
Një listë mesazhesh telefonike që për herë të parë i kishin rënë në dorë presidentit Hashim Thaçi, janë përdorur për tetë vjet rresht nga Prokuroria kundër Fatmir Limajt.
Mesazhet, pos që ishin si prova të papranueshme për shkak se nuk kishte një vendim gjyqi që konfirmonte nxjerrjen e tyre, ka rezultuar se janë të falsifikuara.
Autori i montimit të mesazheve në mes të këshilltarit të Limajt dhe një biznesmeni nga Gjilani, ende nuk dihet zyrtarisht, por autori i shpërndarjes së tyre dihet – ai është presidenti Hashim Thaçi.
Dokumentin prej 6 faqesh Thaçi ia kishte dhënë në dorë Fatmir Limajt, duke kërkuar llogari prej tij për keqpërdorime në Ministrinë e Transportit. Thaçi nuk kishte treguar se ku i kishte marrë ato mesazhe.
Marrja në pyetje me e-mail e Thaçit
Prokuroria nuk ka qenë në gjendje ta marrë Thaçin direkt në pyetje në cilësi të dëshmitarit, por nëpërmjet një komunikimi me postë elektronike.
Në vitin 2012, prokurori i atëhershëm i EULEX-it, Johannes Pickert i kishte shkruar presidentit Thaçi për ta pyetur se ku i kishte marrë mesazhet.
Prokurori i rastit në këtë letër shpjegonte gjithë rrugën e këtij dokumenti.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) aktualisht është duke hetuar z. Fatmir Limaj për sjellje të dyshuar kriminale lidhur me dhënien e tenderëve për ndërtimin e rrugëve në Ministrinë e Transportit prej 2008 – 2010”, shkruante prokurori në letrën drejtuar Thaçit.
Ai i kishte treguar Thaçit që Limaj ishte marrë në pyetje më 20 prill 2012. Gjatë marrjes në pyetje, Limaj ishte ballafaquar me përmbajtjen me shkrim të mesazheve tekstuale (SMS) në mes Endrit Shalës dhe biznesmenit, Florim Zuka.
Këto mesazhe ishin gjetur në banesën e Limajt gjatë bastisjes për rastin Kleçka.
“Këto SMS porosi përfshirë një korrespondencë nga viti 2009, që përmban të dhëna për Endit Shala (Shef i Kabinetit MTPT) duke bërë një marrëveshje ryshfeti më atë palë të tretë”, shkruante prokurori.
Kur Limaj ishte pyetur se pse këto SMS porosi ishin gjetur në ndërtesën e tij, ai ishte përgjigjur se këto SMS ishin falsifikuar nga dikush dhe se kryeministri Hashim Thaçi, i kishte poseduar ato nga një burim i paidentifikuar.
“Z.Limaj më tej deklaroi se Kryeministri ia dorëzoi atij këtë përmbajtje të shkruar të mesazheve tekstuale pasi u njoh me përmbajtjen e saj dhe duke informuar z.Limaj për këtë”, sqaronte prokurori.
Shtatë pyetjet e prokurorit për Hashim Thaçin
Prokurori Pickert ia kishte drejtuar Thaçit shtatë pyetje:
“A keni pranuar ndonjëherë nga dikush përmbajtjen me shkrim të mesazheve me tekst (SMS) apo informacione të tjera për mesazhe me teskt (SMS) që i përkasin një pale të tretë?
A keni qenë i informuar ndonjëherë lidhur me korrespondencat me SMS, të cilat mund të implikojnë z. Fatmir Limaj në kryerjen e veprave penale, përfshirë por jo kufizuar me korrespodencat midis Endrit Shalës dhe të tjerëve
Nëse sipas njohurisë tuaj ekziston një informacion i tillë me tekst SMS, i përmendur nën pikën 2, a të është dorëzuar ndonjëher
A e keni kontaktuar ndonjëherë z.Fatmir Limaj lidhur me komunikimet e pretenduara inkriminuese me tekst SMS dhe a e keni informuar atë që komunikimet e tilla me SMS ekzistojnë?
A i keni dorëzuar ndonjëherë një version në letër të përmbajtjes se mesazheve me tekst SMS Fatmir Limaj apo dikujt tjetri, përfshirë po jo kufizuar, atyre të cilët ju e dini se shoqërohen dhe/apo janë shokë me Fatmir Limaj?
A i keni dorëzuar ndonjëherë një version elektronik të përmbajtjes së mesazheve me tekst SMS Fatmir Limaj apo dikujt tjetri, përfshirë po jo kufizuar, atyre të cilët ju e dini se shoqërohen dhe/apo janë shokë me Fatmir Limaj?
A keni qenë të informuar rreth manipulimeve gjatë aktivitetit të përgjimeve që kanë qenë të urdhëruara në mënyrë ligjore, apo rreth ndonjë manipilumi në këtë drejtim?
Thaçi kishte refuzuar të përgjigjej në shumë prej këtyre pyetjeve. Nuk ishte përgjigjur po ashtu nëse këto mesazhe ia kishte dorëzuar Limajt, personalisht.
“Duke iu referuar kërkesës suaj për të ofruar sqarimet e mira lidhur me disa çështje të cilat ndërlidhen me rastin në fjalë, me lejoni që në formë përmbledhëse të sqaroj si më poshtë”, i kishte shkruar Thaçi prokurorit gjerman të EULEX-it.
“Unë në cilësinë time si kryeministër i Republikës së Kosovës shpesh herë ndodhë që të pranoj letra anonime me përmbajtje të ndryshme në të cilat përmendën persona të caktuar, raste të ndryshme që ndërlidhen me aktivitetet e qeverisë që udhëheqin, apo edhe për gjera tjera”, i kishte shkruar Thaçi prokurorit.
“Pjesa dërmuese e këtyre letrave, zakonisht lexohen nga stafi im, mirëpo ka raste kur ndonjë letër me përmbajtje të caktuar lexohet edhe nga ana ime. Në të shumtën e rasteve, letrat e tilla hidhen si të pavlera mirëpo në rast se ka ndonjë letër me përmbajtje të ndonjë rëndësie për ndonjë person apo individ i cili punon për qeverinë e Kosovës, atëherë unë atë letër dhe përmbajtje ia përcjelli individit të apostrofuar”, kishte thënë Thaçi duke u përpjekur të arsyetonte veprimin e tij të dhënies së këtyre letrave, Fatmir Limajt.
“Pikërisht, një letër e tillë anonime ka qenë edhe letra për të cilën ju keni kërkuar sqarime përmes shkresës tuaj zyrtare. E gjitha çfarë mund të iu them lidhur me atë letër është se unë atë ia kam përcjellë ministrit përgjegjës të apostrofuar sepse e njëjta letër ka pasur përmbajtje që ndërlidhet me ministrinë të cilën ai drejtonte”, ishte përgjigjur Thaçi.
Si u bë që një dokument me prova të falsifikuara të jetë objekt hetimi e gjykimi për më shumë se tetë vjet?
A ishte Limaj dhe stafi i tij i korruptuar apo ishin montuar prova kundër tyre me qëllim të eliminimit politik?
Gjatë marrjes në pyetje, Limaj kishte thënë se mesazhet janë të manipuluara. Kryetari i aktual i Nismës për Kosovën që mbanë pozitën e zëvendëskryeministrit, kishte thënë se dosjen me mesazhe ia kishte dorëzuar kryeministri Hashim Thaçi, por nuk ka treguar datën se kur ka ndodhur kjo.
“Unë shkova në zyrën e kryeministrit. Dikush ia ofroi këtë kryeministrit”, kishte thënë Limaj para prokurorit duke mos mundur ta saktësojë datën dhe kohën se kur mesazhet e shtypura në letër i ishin dhënë kryeministrit Thaçi.
“Kryeministri ma dha mua atë, dhe më tha, ‘shikoje këtë’. Unë e shikova atë dhe ishte shumë serioze për mua. Në të vërtetë isha i alarmuar. E lash aty dokumentin. E thirra këshilltarin tim Endrit Shala. i thash: shpjego çka është kjo’”, i kishte thënë Limaj, prokurorit.
Shala, kishte thënë se mesazhet janë të montuara. Kishte nxjerr si dëshmi listingun e telefonatave dhe mesazheve telefonike në PTK për atë periudhë. Datat e komunikimit në mesazhe nuk përputhëshin.
Limaj: SHIK-u ma montoi rastin
Limaj, kundër të cilit pritet të shpallet aktgjykimi të premten, kishte akuzuar Shërbimin Informativ të Kosovës dhe disa pjesëtarë të EULEX-it se kishin dërguar në burg dhe i kishin hapur rastin e korrupsionit në MTPT, siç kishte thënë ai “pa pasur asnjë fakt”.
Gjatë një interviste në emisionin “Rubikon” të KTV-së të në vitin 2014, Limaj kishte thënë se SHIK-u dhe dy francezë, njëri prej tyre këshilltar i ish-shefit të EULEX-it, francezin Yves de Kermabon dhe ish-kryeprokuroren e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Izabel Arnal po ashtu franceze ia kishin përgatitur këtë rast për ta eliminuar siç edhe ka ndodhur.
Kishte përmendur madje se ishte arrestuar qëllimisht vetëm që mos të ishte pjesë e Konventës së PDK-së kur Kadri Veseli u bë zëvendëskryetar i kësaj partie.
Limaj, kishte akuzuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin për eliminime politike me anë të SHIK-ut. Me eliminime kishte thënë se Veseli ka ardhur edhe në kryer të Kuvendit duke u bërë njeriu i dytë në Kosovë në hierarkinë institucionale vetëm një vit e gjysmë pas hyrjes në politikë.
“Këtu është ndihmuar edhe nga z. Thaçi dhe tash z. Thaçi vetë duhet me u ballafaqu se ma nuk e ka as Jakupin, as Fatmirin, këta tjerët nuk i ka shumë telash se i lëshojnë rrugë vetë”, kishte thënë Limaj.
Ish-ministri i Transportit i akuzuar për disa veprime kriminale përfshirë krimin e organizuar dhe marrjen e ryshfetit, kishte thënë se duke u hapur ky hetim është eliminuar politikisht. Kishte thënë se në këtë ministri ka njerëz drejtpërdrejtë të lidhur me disa ndërkombëtar të cilët i kanë hapur hetimin.
“Janë dy nga pjesa franceze që kanë qenë të lidhur me SHIK-un. Unë pres që hetuesit nëse duan ta hetojnë në EULEX çka po ndodh, jam i gatshëm me dhanë deklaratën teme se çka ka ndodhur me disa element që kanë bashkëpunuar shumë ngushtë me njerëz të Kosovës për të eliminuar dhe linçuar njerëz”, kishte thënë ai.
“Po, në kohën e z. Kërmabo, këshilltari i tij në bashkëpunim me SHIK-un…, një prokurore Izabela Arnal, gjithashtu franceze, kryeprokurore e Prokurorisë Speciale e cila e ka pas detyrën për ta bërë atë që ka bërë në Ministrinë e Transportit në atë kohë. Asnjëherë në asnjë variant mos të kish ndodh ajo në MPTP nuk, do të ishte ajo situatë në PDK që është. Dikush ka xhlozu brenda PDK-së apo SHIK-ut, ka qenë duke akuzuar”, kishte vazhduar me akuza ai.
Limaj e kishte akuzuar Kadri Veselin për montim të mesazheve telefonike ndërmjet këshilltarit të tij, Endrit Shala dhe biznesmenit nga Gjilani, Florim Zuka. Në ato mesazhe flitet për përqindje ryshfeti deri në 25 për qind.
Dhëndëri i familjes së Kadri Veselit akuzohet nga Limaj për montim të mesazheve
Limaj, kishte thënë se këto mesazhe janë montuar nga një njeri i afërm i Kadri Veselit të cilit nuk ia ka përmendur emrin në këtë emision. Mirëpo në të kaluarën e kanë akuzuar ish-policin, Fitim Rexha djalin e prokurorit Ali Rexha i cili është i martuar me vajzën e vëllait të Kadri Veselit. Fitim e Ali Rexha i kishte mohuar këto akuza dhe kishte bërë padi në gjykatë për shpifje.
“Njëri nga ata që i ka përpunuar ata SMS të montuar është njeri i afërt i Kadri Veselit”, kishte thënë ish-ministri Limaj. Kishte shtuar se ka pasur prokuror të gatshëm për të linçuar njerëz.
“A e dini që është bastisur krejt ministria e Transportit pa pas asnjë fakt, asnjë letër”, kishte thënë ai.
Përmbajtja e këtij komunikimi që tashmë është vërtetuar se janë të falsifikuara, ishte kriminale.
Në to flitej për përqindje tenderësh që shkon deri në 25 për qind në këmbim të dhënies së tenderëve për kompaninë “Tali” të Florim Zukës. Mesazhet shkruhej se ishin shkëmbyer ndërmjet ish-këshilltarit të Fatmir Limajt dhe pronarit të kompanisë “Tali” Florim Zuka në janar të vitit 2009, disa muaj para bastisjes në MTPT.
Prokuroria ndërkohë thoshte të kundërtën. Pretendonte se mesazhet janë origjinale por janë fshirë në postë. Këtë e bazonte në faktin se në shtëpinë e Fatmir Limaj ishte konfiskuar dokumenti origjinal në një USB memorie si dhe një dokument tjetër i printuar me ndryshime.
“Parat e ofruara të ryshfetit në shumën prej 250.000,00 ‘25 me katër zero’ përbënë 20% të shumës se përgjithshme, e që iu kishte kërkuar më parë Mehmet Shkodrës nga Nexhat Krasniqi Florim Zuka ishte prezent kur ishin hapur tenderët”, thuhet në aktakuzë.
Sidoqoftë, gjykimi i Fatmir Limajt, Endrit Shalës, Nexhat Krasniqit e Florim Zukës ka mbërritur në fund. Të martën prokurori ka dhënë fjalën përfundimtare, duke kërkuar dënimin e të akuzuarve.
Pas prokurorit, fjalën përfundimtare e kanë dhënë mbrojtja dhe të akuzuarit. Të premten pritet të shpallet aktgjykimi, por pa mesazhet telefonike si provë materiale. Ato mesazhe është konstatuar se janë të falsifikuara./Insajderi
COMMENTS