Presidenti, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim Kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e Malit të Zi për Kosovën dhe për vizitën e tij në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë.
Ata kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale, gjendjen aktuale politike në rajon dhe për perspektivën evropiane.
Kreu i shtetit kosovar ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë të shkëlqyeshme, duke kërkuar zgjerimin e tyre edhe në fushën e ekonomisë, arsimit dhe kulturës.
Në këtë takim është biseduar edhe për domosdoshmërinë e ratifikimit të shpejt të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për shënimin e vijës kufitare.
“Ftoj për një unitet politik në Kosovë për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, për t’i hapur rrugë liberalizmit të vizave. Kjo do të ishte dhurata më e bukur për qytetarët e Kosovës në këtë dhjetëvjetor të pavarësisë”, ka thënë Thaçi.
Nga ana tjetër, Markoviq, ka theksuar se Mali i Zi do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën dhe do ta thellojë edhe më shumë bashkëpunimin ndërshtetëror.
“Do të bashkëpunojmë ngushtë që t’i realizojmë interesat tona të përbashkët, të anëtarësimit në BE”, u shpreh kryeministri malazez.
Nga ana e tij, numri një i Kosovës ka theksuar se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkan, transmeton Klan Kosova.
COMMENTS